Wednesday, October 17, 2012
Vullnet Mato - FIKU ATMOSFERIK
Vullnet Mato
FIKU ATMOSFERIK
Ndoshta tingëllon paksa i habitshëm
ky lloj përngjasimi që i bëj vetes sime,
gjithsesi jam një fik krejt i natyrshëm,
që lidh kokrra gjatë të gjitha stinëve.
Rrënjët i kam në dyshemenë e bibliotekës.
trungu më ka hedhur shtat përmbi karrige,
degët më dalin nga kompjuteri mes tryezës
dhe shtrihen nëpër hapësirën atmosferike.
Bëj fiq të butë dhe të freskët gjithmonë,
që gjendet gjithandej, në qiell natyrisht.
Kam kokrra të shijshme, siç po më thonë,
fiqngrënësit që vjelin tek unë rregullisht.
Kjo vjen se bëj kujdes në pjekjen frutore,
mundohem fiq aguridh të mos shpërndaj,
zgjedh qysh në rrënjë ëmbëlsirën cilësore,
të mos bëj mufka që askush të mos i hajë.
Kam mijëra vjelës nëpër degë kontinentesh,
disa i kam vëllezër, shumë prej tyre motra,
pasi hanë fiq, më nisin amareta komentesh.
me zogjtë që cicërojnë duke çukitur kokrra.
Fiqtë e mi varen nën gjethet e reve radhas,
nëse nga dritaret e avionëve zgjatin duart,
të vjelin frutat që kam shpërndarë falas,
do të ishte një kënaqësi e madhe për mua.
Tani ka dhe kërraba Aifon të çdo marke,
disa fiqngrënës i përdorin për këtë qëllim
dhe kur u shijojnë shumë fiqtë e mi taze,
shpesh dërgojnë mesazhe me falënderim.
Kokrrat e tepërta nga prodhimi javor,
i thaj në diell gjatë ditëve të nxehta,
dhe pasi i bëj çapele të lidhura kurorë,
ua dërgoj miqve nëpër revista e gazeta.
Ndërkohë bëj nga ato bukëfiqet e vjetra,
që derdhen në tava te çdo shtypshkronjë,
për t’i shpënë nëpër librari dhe biblioteka,
veçse bukfiqet duan para, që më mungojnë.
Pra, ftoj gjithë të tjerët në botë, të vijnë për fiq,
bashkë me mikeshat e mia qiellore dhe miqtë!...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment