Tuesday, October 9, 2012

Vangjush Ziko - KJO ËNDËRR

 

Vangjush Ziko

KJO ËNDËRR

KANADAJA

Të isha fallxhor
në këtë tokë të ngrirë
ku lulet mbijnë mbi akull
si në sera të ngrohta.
Ku vijnë nga bota
njerëz nga dëbora të zbardhur,
nga diell' i Saharës katran të nxirë...

Të isha fallxhor
Tokës së akujve t' ia zbuloja sekretet
si fqinjëson stinët
dhe
kontinentet.


KY ASFALT

Ky asfalt i huaj
që ngjan me asfaltin e qytetit tim
vetëm nga ngjyra dhe formula
Po më bëhet çdo ditë qilim
i hapave dhe mendimeve të mia.
Nga pas më ndjek hieja
e kujtimeve të belbëra
që kërkojnë lumturinë
me shkopin e të verbërve.


NË DHE TË HUAJ

Një gjysh po vdes.
Një nip u lind
në dhe' të huaj.

Një psallm.
Një ninananë
u kënduan
Jo në gjuhë të huaj.

As pena ime.
As unë nuk shkruaj.
Shkruan gjaku
në dhe' të huaj.


KJO ËNDËRR

Mes absurdit të jetës së përditshme
Fle e zgjohem me një mendim të çuditshëm.
Me një hamendje. Me një dilemë.
Dallgët e shpirtit ato m' i ngrenë.

E braktisa atdheun a e mora me vete...
I shtriva kufijt' e atdheut mbi detet
Pa prekur kufijtë e shenjta të shteteve.

Kufijtë e shpirtit tim u zgjeruan.
Atdheu zgjohet dhe fle me mua.
Mes absurdit dhe jetës së përditshme
Fle dhe më zgjon kjo ëndërr e çuditshme.

No comments:

Post a Comment