Saturday, October 13, 2012

Arjan Th. Kallço - PORTI I VOGËL



Arjan Th. Kallço

PORTI I VOGËL

Porti i vogël në këtë muzg
Të qetë shtatori
Po fle gjumë. Kudo ka pllakosur
Heshtja e tronditëse e vetmisë.
Secila unazë e zinxhirit
Punon për veten e vet, jashtë
Harmonisë së përsosur ditore.
Anijet dergjen pranë e pranë
Si copa të vdekura metalesh që
Më nuk frymojnë.
Motorët kanë kohë që janë fikur
Dhe të heshtur nuk e ngrohin dot
Këtë ftohtësi babëzitëse. Edhe
Ata që do t'i ndiznin kanë shkuar
Të çlodhen në vatrat e tyre.
Kush do të udhëtonte
I vetëm në këtë liqen ku legjendat
E lashta dhe moderne s'kanë të sosur?
Zemra e portit duket se ngadalë
Po pushon së rrahuri për të arritur
Kulmin pas mesnate kur edhe vetë
Jeta e qytetit do të pushojë. Për çudi
Dritat e zbehta krijojnë
Sfondin e dashur të përgjumjes, ndërsa
Fanari orientues është i fikur e
Nëse ndonjë anije vonë do të trokasë
Portën e hyrjes do ta gjejë të mbyllur.
Jeta po i bashkohet kësaj trullosjeje
Matematikore të llogaritur mirë dhe,
Është gati të flejë gjumë. Ja,
Po e këndoj unë nina-nanën e parë
Të përkundjes së djepit.

No comments:

Post a Comment