Namik Selmani
NUK I THASHË DOT TË TËRA…
1.
Kamxhiku i erës më kamxhikonte faqe, buzë.
Këmbët skeletike ishin bërë si fosile dinosauri.
Perëndonte dielli e nuk e dija a do të vinte prapë në fushë.
Ndërsa plakat fijëzonin leshin si rrjeta peshkatari.
2.
E dhimbja e heshtjes më dha sëmundjen e çuditshme të xhunglës.
Se pylli nuk ka gjuhë gjethesh e nuk ka rrudha burri
Fjala kish hyrë në Peshoren e Fjalës me eho të mbushur.
Ku isha vetë gladiatori që mundja vetveten tragjikshëm te llumi.
3.
Ah, s’i thashë dot të tëra, se syrin ma verbonte errësira.
Diku, në male, ujqit ujqëronin udhëve të braktisura.
Heshtja, pa e ditur se më shinjestronin gijotina
Dhe ditët i kisha sjellë në këmbët e buhavitura.
4.
Heshta si pylli që ndal frymimin nga dëbora.
I plandosur, i pagjakosur, me timpanë të shpuar.
Ku të hyja, ciklonet kishin mbyllur kanate, porta
Ndërsa diku, një shtizë diellore më vidhte syrin e malluar.
5.
S’i thashë dot të tëra, sepse fyti i tharë pëshpëriste
Me një alfabet që mund ta njihnin vetëm të marrët.
Era përkëdhelte kambanat t’iu merrte frymë shenjtërie.
Kuajt e detit kishin hedhur në jele isot e dallgët.
6.
Ah, s’i thashë dot të tëra!!
No comments:
Post a Comment