Raimonda Moisiu
ZOGU DHE "SHAGA”
Një vështrim i heshtur, i egër,
më shton ankthin e pritjes,që
si një mur i ngurtë,
qëndron para meje.
Nëpër cipën e plasur të hënës,
mundohem të zhytem në ujërat
shumëngjyrëshe të dritave
të rrugës,
derisa piklat e vesës
të lagin trupin tim.
Që përtej,
ndjej guitjet e pëllumbave të egër,
që vijnë nga thellësia e pyllit...
Dëgjoj simfoninë e zogjve të lumtur, që
bisedojnë me
thellësirat e shpirtit dhe me
dëshirën time kokëkrisur, që
të rri strukur pas teje,
si një zog i zënë..
Një zog me pendë të arta,
i buzëqesh fytyrës time dhe
me sqepin që nuk i rreshtin këngët,
po më sjell puthje.
Po zbret,
që nga dega mbi mua
po më puth te flokët,
në qukën e gushës,
dhe…në buzët e mia të dëshpëruara …
Ky zog pendëartë, dhuratë
nga "qyteti" im i lirisë,
që gjithmonë më shtyn për mëkate.
Ka ardhur pranvera …
Ky grafullim lulesh,
përball dritares sime,
kjo erë që e sjell aroma e
petalkave që nga Mesdheu,
po më çmënd për dashuri.
Unë zbërthej komçën e parë,
të këmishës sime;
Bëj dashuri me erën!
Moj erë,
që po hyn e butë,
e ngrohtë, e ëmbël, intime ,
që po hyn ngado në qenien time,
siç hyjnë pa ndrojtje tingujt e serenatave,
që vijnë nga atdheu....
Të dua!
Unë e çmendura,
që mezi pres çdo mbrëmje,
në një çast të vetëm;
Të vetëm....!
Të qetë,të heshtur,ëndërrimtar,
të marr ngrohtësinë, brishtësinë,
e trupit tënd.
Të më zgjosh agimin,
të më thuash diçka....
Të ndjehem grua!
Se unë jam një grua,
E di që jam grua, apo jo?
Mërmërimë në shtrat…
Buzëplasur po të pres,
që përvëluar të mërmërisësh,
qoftë një herë të vetme;
Shaganeja ime!
Më recito tërë natën nën hënë;
Eseninin !
Mërmërij dhe puthem me Eseninin!
Por një varg....!
Vetëm njërin ....!
Mos e nxirr nga goja;
“ Xheloze nuk është më për mua Shaga”
Unë të dashuroj!
Zog pendëartë!
Këndo serish, ndryshe,
do të pushojnë të rrahurat e zemrës sime,
që rrahin të lira,
si pendët tënde nëpër ajër.
Të dashuroj!
Po pres të fluturoj,
për në udhën tonë.
Pres çastet pafund,
për në pyllin tërë blerim,
të ngrohur,
me përvëlimin e trupave tanë…
Dy zogj të lumtur,
kërkojnë, dashuri...dashuri...
Nata po ikën...... hëna lart derdh rreze,
si të qarat e Shaganesë!
No comments:
Post a Comment