Tuesday, January 22, 2013
Vjollca Tiku Pasku - LARGOHU VDEKJE !
Vjollca Tiku Pasku
LARGOHU VDEKJE !
Sa herë më je afruar vdekje, me sytë bosh,
më pas ke ikur, të marrësh erzin në të tjerë,
sa dhimbje ke shkaktuar, e buzë shkumëzuar në lot,
sa shtëpi ke rrafshuar e ka kënduar qyqja në ditë pa lerë.
Kur ti afrohesh dielli shpërthen në hi të zi,
yjet pa ngjyrë misteriozë zhduken në çast,
perdja e kaltër e qiellit mbyll siparin praptazi,
hënën e lë në zgrip errësire, mbërthyer si në kllapë.
Me tehun vezullues të kosës pret fytin e dritës
burimi që rrjedh jetë, shter trishtë në çast,
bebëzat e syve fik, e bien në lakoren e slitës ,
fryma shuhet ngadalë, në vorbull e ngrahmë.
Kapaku i dheut hapet me lopatë, e ngrihet galumë,
dy litarë gjarpërushë mbajnë peshën e presë tënde,
një zhurmë e ftohtë e ti e mbështjell me mantel të ngurtë,
dhe hijen verdhacuke që lë mbi tokë, pi me ëndje.
Ndaj shpirti im udhëtar pi në kristale drite dashurinë,
agimin zemërbardhë kam bashkëudhëtarë në zgjim,
puth rrëzëllimin e argjendtë të diellit e gjithë kaltërsitë ,
përpiqem çdo çast të gdhend më të mirën me rreze lime.
Jeta është një duartrokitje buzësh që ndërron ngjyrë,.
në qerthullin e familjes e në fshehtësinë e udhëve të gjata,
deri sa shamia vjollcë t’më mbulojë copën e ditës në fytyrë,
të jetojmë në paqe e shpresë, ti bëjmë ditët e begata.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment