Friday, January 11, 2013
Agim Bacelli - MALLI PËR ATIN TIM
Agim Bacelli
MALLI PËR ATIN TIM
Isha në fluturim,
Kur mu kujtua at' i vdekur!
U mbyta në lot hidhërimi
E mora rrugën pa drejtim.
Fshiva rrëketë nga pamja,
Poshtë, maleve hodha sytë.
Shqipëria gjithë shkëlqim
Më solli në vete.
"Si ty, s'ka një të dytë",
I fola vendit tim.
Befas më dolën përpara
Dy liqejtë e kaltër plotë ndriçim;
Prespa dhe Poradeci,
"Ja, mendova, sytë e babait tim."
Mali i Thatë me rrudha
Mu duk si balli i tij.
Ivani si çiban
U bë nishani prapa qafës!
Po gojën ku e ka im atë?
Buzët që me ngrohnin si askush,
Ku vallë janë?
Pllajë e Korçës u hap si goja e tij,
Rrethuar nga Buzët-Prush!
Nuk e zgjata më,
Çava qiejtë,
Malli për babanë më zhuriti,
Vërtik u turra tatëpjetë,
U ula tek buzët e tij;
"At' im! Po vij tek ty për jetë!"
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment