Vullnet Mato
SEKRETI
Dimë për njeri-tjetrin sekretin e vjetër,
se vdisje për mua dhe vdisja çdo ditë.
Atë sekret e fshehëm mbi çdo gjë tjetër
si kujtimin që ndrit mbi tërë fshehtësitë.
Në sekretin tonë s’mund të hyjë askush,
edhe po të dojë me ngulm të dijë patjetër,
trungut të pjergullës t’i kërkojë atë rrush,
që lidhi për të ëmbëlsuar vjelësin e vjetër.
Ti, kishe gjoksin, ku djemve u binin sytë
dhe u ktheheshin mbrapsht nga elasticiteti,
kishe këmbë për të cilat u pikonte në shpirt,
kur të gjitha hiret e tua i shijonte sekreti.
Të dyve na merr malli për ato të fshehta,
ku lakuriqësinë ia zbulonim njëri-tjetrit.
Ndonëse gjithë të tjerët pëlcisnin nga etja,
ne, pinim sa deheshim esencën e sekretit.
Notoja i ndezur në ujërat e tua sekrete,
gjersa ti më mbytje me thellësitë e kurmit.
Nuk dëshiroja asnjë plazh tjetër në dete,
për të lënë frymën te leshteriku i fundit.
Natyrisht, të erdhi koha t’i shkoje tjetrit,
dhe ty, dikush arriti të bëri pronën e vet,
shijoi te pjergulla jote ëmbëlsitë që gjeti,
por jo shijen e vërtetë që kishte ai sekret.
Ah, sikur të më kthehej koha e fitimtarit,
të më zbuloje sërish sekretin e paharruar,
tani do ta çmoja më shumë se vlera e arit,
ndonëse nuk di, nga thesari yt ç’ka tepruar...
No comments:
Post a Comment