Eduard Konica.
KOHË E LARGËT
Nuk di pse sot më erdhe pranë,
në mendjen time bëre vend,
në shpirtin e zbrazët hape sirtarët,
kërkove të gjeje emrin tënd.
Janë trillet djallëzore të vetmisë,
që fantazisë i japin jetë,
nuk i ndez jo, ëndrrat e rinisë,
përse t'i hap sërrish ato fletë?
Jo, as mundem, as dua,
nuk dua të kujtoj asnjë rresht,
ajo flakë dikur u shua,
ndaj dhe unë si yjet do hesht.
Ti mbase do tallesh me mua,
bota do t'më shohë ftohtë,
nëse bota s'më do, nuk e dua,
të ndërroj mendje tani është e kotë.
No comments:
Post a Comment