Friday, December 28, 2012
Vjollca Tiku Pasku - COPËZA FRYMËZIMI
Vjollca Tiku Pasku
COPËZA FRYMËZIMI
Ato më vijnë si vetëtima që ndezin zjarre,
në embrionin e mendimit frymë e zanave,
si ulërimat e shkëndijave të pishtarëve,
që shuhen e ndizen në flakët e vargjeve.
Vijnë si tufa pëllumbash me gugatje të ëmbla,
që çajnë hulli marramendëse në fluturim,
më shëtitin në hapësira të galopoj ëndrra,
të thith dritën në gji të Hënës, deri në agim.
Vijnë si refleksione shpërthimi të gonxhes,
të qëndis pemët me ngjyrat ylberore,
të fiksoj melodinë e heshtur të aromës,
të ngjyrosin faqe petalesh me vesë qiellore.
Vijnë si dallgët e grurit të artë nëpër ara,
t’i bëj të kërcasin ngadalë në dhëmbëza mulliri,
të bëhen miell me rreze dielli qysh në farëza
të bëhen bukë në furra, ku piqet djersë kalliri.
Lermëni të shkruaj deri në atak ndjenjash,
fragmente dhimbje të pangushëlluara, vajtimesh,
fragmente lumturie në një kopësht ndenjash,
fragmente zemrash që më sjellin dallgë frymëzimesh.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment