Tuesday, December 11, 2012

Edmond Shallvari - LETËR DJALLIT
















Edmond Shallvari

LETËR DJALLIT 

Unë e di që më ke ndjekur, 
Në çdo letër, hap pas hapi 
Siç e di, që dhe ke qeshur, 
Dhe ke plasur nga inati. 

Por e di që prapë ke lënë, 
Të vejë letra ku është nisur, 
Tjetërkund pusi ke zënë, 
Qysh kësaj bote kur je lindur. 

Di, je marrë vesh me Zotin 
Për të drejta dhe detyra, 
Ndaj të njoh për Djall zakoni 
Siç të njoh me dy fytyra. 

Herë engjëll i fillesës, 
Më pas kthyer në viktimë 
Herë dinaku i pendesës, 
Më pas tmerr për njerëzinë.

Çfarë të bëri kjo gjallesë? 
Kurrë s’të hyri ty në hise, 
Ç’pate që hyre në pjesë 
Ta djallosësh qysh në lindje? 

Çfarë zilie kanë engjëjt, 
Qoftë kthyer dhe në djaj, 
Ndaj krijesës kaq të ëmbël 
Të krijuar nga një At? 

Në një tokë të banuar, 
Gjithësisë sa një grimcë, 
Kur për ty s’ka të mbaruar, 
Çdo banesë e gjithësisë.

Çfarë inat pate me Atin, 
Me njerëzinë, çfarë inat?
Pse, o Djall, ja u nxin fatin, 
Tokësorëve, të pafat? 

Kaq shkrova sot 
Për ty, o Djall 
Firmosur Edmond, 
Sipas teje, mëkatar...

No comments:

Post a Comment