Tuesday, August 20, 2013

Vullnet Mato - TRËNDAFILAT E QIELLIT













Vullnet Mato

TRËNDAFILAT E QIELLIT

Mbrëmë kronikat televizive
dhanë lajme të çuditshme nga kozmosi.
Në tërë gjithësinë kishin mbirë

tufa të mëdha trëndafilash të bukur.
Nëpër galaktikat e të gjitha formave,
Vajzat e planetëve të banuar
ishin bërë për t’u puthur…

Ciganët e sistemit tonë diellorë kishin dalë
nëpër mullarët e Kashtës së Kumtrit
dhe u binin tambureve të yjeve, duke kënduar:
Dilni m’i goca kozmike në sokakët e qiellit
se u presin çunat e Tokës së diellit!...
Në mos dalshi, në mos dalshi,
kurrë meshkuj me sy mos pafshi!...

Mbrëmë gjithë natën gjëmoi qielli,
deri në largësitë e tij të thella e të pafundme.
Priten me kureshtje lajme të reja,
vallë, vajzat e cilit planet
do zbresin në Tokë për t’u veshur nuse!...

Kishin dalë kandidatët e parë për nuse yjesh,
disa mijëra beqarë të argëtimeve nëpër klube nate…
mes tyre një shqiptar me flokët si lundër mbi krye,
dhe një kosovar i pashëm me mustaqe…

No comments:

Post a Comment