Sergio Hizma
SHKRONJEN “O” SI ZEMËR BËJE TI
Emrin tim me guriçka shkruaje në rërë
Po valët e detit ta prishnin përsëri.
Ti nxitoje ta shkruaje emrin të tërë,
Kurse shkronje “o” si zemër e bëje ti.
Unë me ëmbëlsi vija të ngacmoja:
Kaq pak më do sa emrin tim ta fshin një valë...
Nëse unë gjoksin tim fare do ta shkallmoja
Përsëri emri yt jashtë s’ka për të dalë.
-Në rërë emrin ta shkruaj, po me trup e mbroj,
Të mos e lëvizi as më e madhja stuhi,
Sepse unë pa ty nuk dua të jetoj... -
Si për tu mbrojtur, e pafajshme përgjigjeshe ti.
-Unë të kam skalitur në çdo qelizë të trupit,
Gjaku im s’lëviz pa qenë ti aty...
Me dorën për qafe i shtrëngova supin
Dhe kur në sy u pamë, shpërthyen shkëndi.
Të kapur prej supesh ecëm ngadalë,
Në rërën që ndan tokën nga deti...
Këmbët të freskuara nga deti me valë,
Nga dy zemrat një krater dashurie aty mbeti.
Në të njëjtin vend, për çdo vit ne shkojmë,
Ku me ndjenja të zjarrta lidhëm dashurinë,
Kur shkojmë atje, fjalët janë të pakta,
Sepse na pëlqen që, mes kujtimesh pak të rrimë.
Tek heshtja e heshtur, që kurrë s’gjeti fjalë,
Tek zjarri i dashurisë, që kurrë s’mbaroi,
Tek valët që bregun përkëdhelin ngadalë,
Në të largëtat kujtime mendja më fluturoi...
Në atë breg rëre janë hedhur themelet,
Ku pallatin e tyre ndërtuan dy jetë...
Që përjetë i paharruar për ne të ngelet
Po aq i rëndësishëm, sa dashuria vetë...
No comments:
Post a Comment