Saturday, August 3, 2013
Vullnet Mato - NJË ROZAFË ME THIKË NË ZEMËR
Vullnet Mato
NJË ROZAFË ME THIKË NË ZEMËR
Një Rozafë u muros
me thikë në zemër,
gjaku i kulloi përmbi gjoks
qumësht të zi...
Era thërret me kuje
vogëlushin në emër:
Mos shko te nëna,
se do të helmohesh në gji!...
Ortekët para nisjes
thërrasin me dhimbje:
Vogëlush, mos kërko nënën
shtigjeve duke rendur,
se je ende fëmijë i parritur
për këto brigje,
të mbulon kopeja e gurëve
me akull veshur!...
Përrenjtë gurgullojnë
të mbushur me lotime,
duke u rrokullisur
thërresin me dëshpërim:
Vogëlush, mos shuaj etjen
me rrëke vajtimesh,
se damarët e njomë
të mbushen me hidhërim!...
Vetëtimat hedhin
mbi muranën e Rozafës,
trëndafila të zjarrtë
dhe thërrasin me ulërima:
Vogëlush, mos shko
t’i shohësh nënës plagën,
se të plagoset për vdekje
e gjithë fëmijëria!...
Por djali nuk dëgjon
kujet e klithmave përqark,
shtrihet sipër muranës
dhe me dy doçkat e tij,
shtyn gurët për të thithur
qumështin me gjak,
pranë nënë Rozafës
së murosur në shkëmbinj...
Atëherë qielli u shfryu gjakësorëve
të Rozafave me zemërim:
U shoftë fara juaj, o burracakë,
që lini udhëve fëmijët,
për të ngritur kështjellën e turpit,
në të sotmin qytetërim!...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment