Tuesday, January 3, 2012

Vullnet Mato - KËNDOI ZOGU I MESDITËS

Vullnet Mato

KËNDOI ZOGU I MESDITËS

Këndoi zogu i mesditës
në dritaren time celulare,
kur gjumi më kish zënë
me të tërë ëmbëlsinë.
Hapur në çdo kohë
ia lë të xhepit dritare,
se cicërimat e tij,  
jetën tutje ma shtyjnë.

Zogu im kënaqet
kur dëgjon kollën e gjyshit,
që e mbush me gaz
dhe e lumturon të tërin.
Cicëro, o zog i vogël,
nga lagjia larg mjedisit,
ku s’e shtyn dot ditën,
pa ma dëgjuar zërin!

Se ndryshe ç’thoshte
për gjumin delikat Çërçilli,
ta zgjonin mesditave
vetëm po të sulmohej Anglia,
ti ke lirinë e plotë,  
me sqepin e cicërimit,  
të prishësh gjumin e gjithë
mesditave të mia... 

Sa herë më thërret
ky zog nga kuvlia vet,
unë ngrihem të marr udhët
nëpër diell dhe shi.
Se zemra padurimin  
më rreh ditë e net, 
për të puthur ato faqe
për të lëmuar flokët e tij.

Më zgjo, o zog,
i mesditave të mia të qeta,
në vjetrimin e viteve
ti mos më lër të shtrirë!
Se po të duhet
dhe gjysma e gjakut në vena,
rezusin e përbashkët ta jap
me gjithë shpirt e shumë dëshirë!

No comments:

Post a Comment