Saturday, January 21, 2012

Kaman Myftaraj - NUK MUND TË VRITET DASHURIA



Kaman Myftaraj

NUK MUND TË VRITET DASHURIA

S’ka më keq kur zemrës i mungon ndjenja,
Ajo që i jep forcën dhe rrahjen e shpejtë,
Kur buzët e thara si një arë e pavaditur,
Digjen për një puthje mëngjesi me vesë.

Nuk ka më keq kur nuri i buzëqeshjes,
Ka humbur në honet e thella të vetmisë,
Mbuluar nga pluhuri i harresës e heshtjes,
Fishkur si gjethet e rëna pas stuhisë.

Ku shkoi vallë ajo bukuri e pashoqe,
Ai zë i bukur si një e ëmbël serenatë?
Kush e theu vallë kristalin e asaj zemre?
Që digjet përvëlohet nga dashuria e vrarë?

Mos vallë xhelozia, thashethemet,
Apo mungesa e gjatë që nuk jemi parë?
Jo, jo e dashur, ato kurrë mos i dëgjo,
Dashurinë e vërtetë asgjë nuk mund ta vrasë.


No comments:

Post a Comment