Monday, January 30, 2012

Kostaq Duka - KOHË MEDITIMESH



Kostaq Duka
     
KOHË MEDITIMESH
     (triptik)

 PËR TY NJERI…
 
Gëzimi,
hidhërimi,
shpresa,
zhgënjimi.
 
Të gjitha
formësojnë qënien tënde : Njeri!
 
Një çast pa to
bie në zbrazëtirë
aty ku vdekja ka të vetën  perandori.
  
ËNDRRAT
 
Ëndrrat,
Vezulluese, ngacmuese, përtëritëse
me trajtat e së nesërmes të pritshme
me dhimbje,
me ditarin e rinisë i vendosa diku thellë
në sirtarët e vjetër të memories….
Në moshën e thinjave,
u hapa rrugë meditimeve
ngarkuar me dhimbjen,
për thërmimin e ëndrrave që s’panë të nesërme
dhe kotësinë e ëndrrave që vdekjen e bartën
mbi shpinë të tyre që në lindje.
 
DESHIFRIM I SHKREHJES NË VALLZIM
 
Të dy e dimë. E dimë fort mirë
Jemi pjesë e dy lumenjve me rrjedhje e derdhje ,
krejt në drejtime të ndryshme.
E megjithatë
nën muzikën  dallgë shkumëzuese,
u shkrimë pak çaste,
për të thënë ndryshe,
dëshirën e fshehur në arkivat sekrete të shpirtit.
 

No comments:

Post a Comment