Thursday, January 26, 2012
Kaman Myftari - BETIMET E DASHURISË
Kaman Myftari
BETIMET E DASHURISË
Të prita, gjer në përjetësi të prita,
një fjalë të më thoshe sido të qe.
Me zemër të desha dhe më deshe si drita.
që do të vërtetën e qiellit pa re.
Po nuk di ç’ndodhi, ndoshta u keqkuptuam,
ktheve kokën mënjanë, asnjë fjalë nuk the.
Të prita gjatë, sërish të prita.
Mendova se diçka kishe për të thënë,
Por ti u largove si hëna pas malit
për të lënë qiellin tim në errësirë.
Sa shpejt harrove premtimet e dhëna,
kur më thoshe “jam gati të vdes për ty!”.
Të fola, ndoshta më shumë se duhej,
jo për vete, po për ardhmërinë tende.
Mbase do vijë dita që dikur të kujtosh,
se dikush të foli me shpirt,
siç flet pranvera me lulet erëmirë,
t’i shtojë aromat tokës në të gjithë vendet.
Unë do t’i ruaj kujtimet e tua,
dhuratat, fotografitë, puthjet e ngrohta,
si vlera njerëzore në çastet e shpërthimit
të një shpirti vajzëror të dëlirë,
që u tërhoq nga interesa aq meskine,
për të shkelur betimet që i bëri dashurisë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment