Monday, January 16, 2012

Raimonda Moisiu - NDONJËHERË…





NDONJËHERË…
 
Ndonjëherë…
Qenia ime më duket si një kufomë,
që mezi po pret çastin,
e nisjes drejt një botë të padukshme.
Mundohem të flak tutje trishtimin,
e mungesës së vështrimit adhuronjës.
 
Si një kujtim i ndezur në buzët e mia,
përpiqem t'i thur serenata,
buzëqeshjes dhe vështrimit ,
në kaltrinën e syve të mi,
të syve të një të panjohuri.
 
Më grish - përpirëse si instinktet,
dëshira për të udhëtuar,
mes shpirtit të trishtuar e nostalgjisë,
në ankthet e zemrës sime.
 
Ndonjëherë…
Ritmi i takave të mia,
plasarit mendimin e frikshëm dhe
nuk gjej rezonancë drite
t'i shkëputem rrënimit.
Përhumb mes dridhjeve të nxehta të mëkatit dhe në mjegullën e syve të rebeluar,
pres me padurim një dashuri të re….
 
Më mbërthen si një kështjellë erërash
kjo dëshirë rebele:
Të jetoj qoftë edhe një çast të vetëm,
atje ku era të më shpupuritë flokët,
buzët të këputin petale trëndafilash, nga ata
që qëndrojnë kryelartë në kopshtin tim.
 
Ndonjëherë…
Dua ta përqafoj fort të dashurin,
si ujkonja që përfshin këlyshin e saj,
si manare të thithë nektarin e gjirit tim.
T'ia përkëdhel flokët ndërsa
buzët e tij të nxehtë të mërmërisin
pa pushim, emrin tim.
 
Ndonjëherë …
Dua dikush të më pëshpëritë,
marrëzirat e botës së sotme, që quhen;
brishtësi, ëmbëlsi, ngrohtësi.
Dua vetëm të bëj dashuri!
Të flak mendimin se ka Vdekje!
 
Këtej - humnerat e vdekjes
Andej - parajsa e dashurisë
E unë, kë të zgjedh?
Dua vetëm të bëj dashuri!


No comments:

Post a Comment