Monday, December 9, 2013

Vullnet Mato - VËLLEZËRIT QË KRIJUAN TOKËN














Vullnet Mato

VËLLEZËRIT QË KRIJUAN TOKËN

Zbulohet një mesazh
në pllakat metalik,
shkruar para miliarda
shekujve të dritës,
lënë nga alienët në Hënë,
mes pluhurit kozmik,
shkencëtarët deshifruan
tekstin mahnitës:

Planetin Tokë,
me hidro-oksigjen mbuluar,
e krijuan dy vëllezër
të palindur nga nënë.
Ati Diell i nxori
me shpërthim të valuar,
nga bolet e bërthamës
në magmën e rëndë.

Ata dolën në sipërfaqen
rreth e rrotull,  
dhe pasi qëndruan
sipër flakëve jashtë,
goditë me çekiçë
pertuberance të ftohur,
një shpuz të madh
prej shkëmbi të zjarrtë.

Shkëputën një thëngjill
gjigant në atë vatër,
dhe e hodhën larg
përvëlimeve diellore,
që motra, e quajtur
prej tyre Akota e Kaltër,
të lindte njerëz të mençur
në hapësirën qiellore.

Pastaj ata u krodhën
në lëngun e zjarrtë,
dhe u shkrinë të dy
nga vlimi përvëlimtar,
mos të shihnin motrën
që nisi të nxirrte nën bark,
budallenj të shumtë,
me pasion shkatërrimtar...

No comments:

Post a Comment