Saturday, December 28, 2013

Vangjush Ziko - LYPSARËT














Vangjush Ziko

LYPSARËT

Jam ulur në një kënd të globit,
ku kryqëzohen paralelet e meridianët,
ku fryjnë zefirët dhe murlanët,
ku rrugët e zogjve shtegtarë kryqëzohen
me korridorët e aeroplanëve.

Jam ulur në qoshen e lipsarëve.

Bethoveni i shurdhuar luan Pasionatën,
Van Gogu pikturon renë e zezë të korbave,
Homeri i verbër vajton hirin e Trojave,
Shekspiri me zërin e Lirit të hakëruar
mallkon pjellën e tij të padenjë,
Uitmeni mbi oqean' e shterruar
ka hedhur urat e poemave
të lidhë kontinentet...

Njerëzit kalojnë indiferentë.

Lypsarët dorën s' e kanë shtrirë,
as berenë s' e kanë lënë për tokë,
s' kanë dalë për mëshirë,
për një lopkë,

Lypin pakëz dashuri prej Botës,
për vetë Botën.





No comments:

Post a Comment