Fatmir Terziu
SHTËPIA IME
Ka themele, ka mure, ka trarë, ka soletë ka dhe çati,
kur bëhen bashkë quhet shtëpi?
S’janë fjalë, por materiale të mbledhura me djersë,
damarë të shkulur trupit me gjak,
kursime që hyjnë ngadalë e pjesë-pjesë,
derisa ndalen në majë me një oxhak.
Ka ajër, ka diell,
është trup që mban një qiell.
Janë mure të lara me lotë,
trarë të varur në fate, në ëndërra,
soleta të nxirra në zjarr e të ngrira në të ftohtë,
çati që çahen nga kuja, vaji e nga kënga.
Shtëpia ime, vatra ku u hodh vallja brezash,
e sofrash shtruar me burra legjendash!
Je strofka e pashuar në jetën time,
ndaj ty kurrë nuk të kërkoj gjetkë,
as emër modern nuk kërkoj në gjendjet civile,
më mjafton emri yt, bukur është: “Shtëpia ime!”.
Je mamija e parë që prite të qarën time,
edhe shurrën, edhe mërmërimën thatime,
shtëpi e gdhëndur e tëra me mall,
brenda zemrës më djeg si zjarr.
Shtëpia ime, jeta e vërtetë e bardhë,
je vlera e vetme e radhë!
Je ninulla ime dhe zullumi fëminor,
me shenjat e mia të gishtave,
fle e sigurtë nëpër sofrate, ballkone e korridor,
çdo pjesë prej mishi, e çdo grimë e eshtrave.
Shtëpia ime, je koha, vendi dhe hapësira,
magjia e radhë dhe vetë mrekullia,
më rrite të mbarë, të bukur që nga fëminia,
ti ishe për mua dhe mbete vetë pasqyra.
U kreha në pastërtinë tënde të kristaltë,
djepi im padashje të ka hapur edhe plagë,
dhe për këtë hapur të them “Më fal”,
se jam nga gjiri yt, jam i yti djalë.
Shtëpia ime, vatër e mbarë,
ti kurrë nuk më le në hall!
Jam në pragun tënd, kam mall
të shoh në google dhe qaj,
shtëpia ime edhe pse je larg,
me vete gjithnjë të mbaj.
E të gjej të lodhur në xhunglën asfalt,
veshët mbyllur nga ndonjë shamatë,
të kërkoj në fushën e bërë baltë,
zgjohem me ty edhe në mesnatë.
Dhe shoh se si pulat e komshiut,
vjedhin tinëz lulen e tharë,
dhe pastaj i lutem erës edhe shiut,
të rimbjellin prej lules pak farë.
Shtëpia ime të dua,
edhe kur portat janë mbyllur.
Më beso për dritën e syve,
edhe kur bëhesh fole e gjarpërinjve.
Të dua çdo gur, çdo tra,
të dua me gjithçka,
me ty shtëpia ime bëhen mbarë,
mijëra kujtime dhe ëndërra të vrarë.
Të dua dhe qëndroj si më s’ka,
në dritaren tënde pa zgarë,
aty shoh prindërit, motër, e vëlla
aty dëgjoj dhe marr vesh ndonjë fjalë.
Shtëpia ime je jeta,
për ty rrugëve mbeta!
No comments:
Post a Comment