Monday, December 9, 2013

Fatmir Terziu - STATUJA APO STATURA?















Fatmir Terziu

STATUJA APO STATURA?

Çfarë janë mermeret e Koloseut
këllqe, ikona apo statuja?
Më kthyen nga një vizatim të lodhur
merimangat kishin ikur tutje
mes lakadredhave të kërmijve
mbetur nga vapa të ngordhur
poshtë një trungu kurrizdalë pishe
formohej rituali i ndotur.

Mortalis Immortalis
Mbi krahët e një rryme të tejdukshme
Dhe të nderë, të shkërmoqur deri në zallishte
Këmbët mbi pluhur. Është një përrua
transparent ku notojnë gjysmat e statujave
me veshë e pa veshë
përpos kalldrëmit të shpuar nga trokthet
kuajt janë vetëm legjendë.

Shegët e egra kanë çelur. Gjysëmlule
të hutuara nga vapa që avullon mbi gurë
mbirë nga rrënoja e një forme
bimë gërmallash postmoderne
ardhur me fate të pashkruara
në kahun e një kthese
një vazo guri
si vend i hirëzimit të tyre.

Në hyrje qëndrojnë rrojet me pagesë
që numërojnë turistët me biletë
në një shesh të zbrazur nga betejat.
Përreth duke u ngjitur
syri zhvesh lakuriqësinë e çifteve
që tradhëtojnë kalimin e vet
dhe lë pas vetes veç puthjeve mes gurëve
edhe frikën e largët që ende vret...



No comments:

Post a Comment