Vullnet Mato
LULEKAMBANAT E
MUZGUT
Kur perëndimi i ditës
arriti në çastet e
rënies,
ranë kambanat e qiellit
me tone të drithëruar.
Atëherë përkulën kryet
në ritualin e mbrëmjes,
dhe lulekambanat e
muzgut,
me nderim të trishtuar.
Cili arkitekt projektoi
formën e tyre kambanore?
Cili piktor përzgjodhi
ngjyrën blu -
violet?
Cili metalurg shkriu
bronzin e cipës lulore,
të këndojnë zogjtë
halelujën e muzgut të
qetë?...
Ndoshta të tre krijuesit
gjurmët i kishin në
qiell,
apo ndoshta njëri
bëri të tria
përsosmëritë,
për t’ua vënë përpara
gjithë muzgjeve dhe syve,
këto krijime natyre
mbi të tëra mrekullitë.
Janë çastet më solemne
që përsëriten dimër-verë,
kur horizontet bëjnë
nderimin e ditës që vdes,
lulekambanat e përcjellin
për të fundit herë,
për të pritur sërish
ditën e lindur çdo
mëngjes.
Oh, në muzgun tim
nuk dua të jehojnë
minaret,
as të bien kambanat
deri tutje nëpër kisha,
por vetëm këto
lulekambana
të çelin dritaret,
të shkoj nga kjo botë i
lumturuar,
ashtu siç nuk isha!...
No comments:
Post a Comment