Saturday, June 8, 2013

Qazim Muska - MË LËR










 
 
Qazim Muska
MË LËR

Me gjasë nuk do takohemi më...
Si një fanepsje tretesh në muzg
Me flokët që era ti tund si lamtumirë
Dhe me vështrimin e tretur përfund horizontit
Në kërkim të një tjetër qielli ...
Gjurmë të hidhura do të lësh pas
Në livadhin tim ku ece aq magjepsëse.
Ky apokalips në formë gruaje
Dhimbje e durim prej skllavi
Do të më injektojë mes heshtjes që më mbyt...
Po ikën si një flesh drite;
E shkurtër dhe mrekullisht e bukur,
Por... më lër të vizatoj portretin tënd
Në muret e zemrës sime,
Aty ku koleksionoj
Thesaret që jeta ime i pat të pakta.
Të të pikturoj imtësitë e tua të ëmbla;
Buzëqeshjen prej ylberi
Endur cepave të buzëve si bisht bajameje,
Kaltërsinë e papërcaktuar të syve
Si ngjyra e detit në muzgun e mbrëmjes
Dhe flokët që mbi supe të vareshin
Si degëza shelgjesh të trishtë...
Dhe pastaj fytyrën tënde të brishtë
Kur tkurrej nga marrazi
Si të ishte ketër i uritur...
Më lër pra me heshtjen time
Si në një akuarel të vakumtë
Me penelat e vështrimeve të mi të hutuara
Të pikturoj ikjen tënde
Që koha të ndalet këtu
E unë të kundroj në çdo çast
I etur prej dashurie
Ndalesën e ikjes tëndë dëshpëruese...

No comments:

Post a Comment