Vullnet Mato
KUR SHOH PEMËN
Kur shoh pemën të lartësohet
mes fisit të pemëve,
me degëzimet familjare,
të shtrira përqark trungut,
me frymëmarrjen e gjetheve,
nëpër brinjët e degëve,
me mikpritjen e poetëve zogj,
deri afër muzgut;
Kur shoh pemën tek shpërndan
farëzat e ardhmërisë,
tek thith me damarët e rrënjëve
lëngun jetësor të bimës,
tek shtron qilimin e hijes
për të gostitur kokrrat e bujarisë;
tek përshtat kostumin e vet
sipas stinëve dhe klimës;
Kur shoh pemën që kryen ciklin jetik
si gjithë gjallesat tokësore,
teksa mbin, lulëzon, përhap genin e vet
dhe vdes thatësisht,
nga tumoret myk, eshkë, kërpudhë,
të plakjes së vet kohore,
për t’u liruar vendin
mbirjeve të reja në atë mjedis...
Atëherë them: Sa shumë ngjasoj
me një pemë, në këtë jetë!...
Dhe s’më mbetet vend për egoizëm,
se bëra emër në vegjetim,
derisa jam një lloj peme që lëviz
hapësirave poshtë e përpjetë,
që kam ardhur për të kryer
ciklin tim biologjik në blerim;
Veçse jam një pemë me tru e zemër,
që vegjetoj përkohësisht,
në njërin nga pyjet njerëzor pambarim.
Ne, pemët shëtitëse, ndryshojmë nga shtati
dhe nga frutat që lidhim në përjetim.
Por kush mendon se sheh te vetja malin,
them se bën shumë gabim...
No comments:
Post a Comment