Saturday, June 8, 2013

Sokrat Habilaj - TË LUTEM MOS SHKRUAJ VARGJE DASHURIE PËR MUA!













Sokrat Habilaj

TË LUTEM MOS SHKRUAJ 
VARGJE DASHURIE PËR MUA!


Se mund të mendosh që kur bien netët,
Më këndon si fllad, apo thjesht si hënë.
Pastaj, hutaq si të gjithë poetët,
Buzën time e lë krejt të pa ngrënë.

Se mund të mendosh që ti nëpër rreshta,
Krijon edhe jetë, nën strehë reje.
Dhe harron pa dashje, gjëra të thjeshta,
Që bota krijohet veç brenda meje.

Se mund të mendosh që çdo pëshpërimë,
Ti nis e ma kthen në vargje me ngutje.
Dhe harron, i dehur, se asnjë rimë,
As gjithë vargjet s’vlejnë sa një puthje.

Se mund të mendosh që fjalë mrekullish,
Shkruhen në libra, a letër së paku.
Dhe harron se dua gërvishtje në mish,
Sikur pas çdo germe, të shpërthejë gjaku.

Se mund të mendosh që me yjet fletë,
Dhe s’kupton asgjë çfarë do një grua.
Që ta mësoj unë, ashtu si di vet,
Mos shkruaj të lutem vargje për mua!

No comments:

Post a Comment