Thursday, June 20, 2013

Luan Çipi - VJERSHËROJ SIÇ DUA!















Luan Çipi

VJERSHËROJ SIÇ DUA!

Unë  jetën, siç e ndjej, e shkruaj në  poezi,
Përpiqem, të zgjedhura fjalët t’i rreshtoj,
Nuk pretendoj në çdo gjë përsosmëri,
Për muzikalitet, rritëm e rimë, synoj.

Përcjell zëra cylesh, zilesh e këmborësh,
Gurgullima uji me stërkala nga mali,
Zhurmë, thirrje e britma dasmorësh,
Lehje qensh, a hingëllima kali.

Preferoj mjaullimë maçokësh të eksituar,
Dhe pallje gomarësh kur bien në qejf,
Kuartete zërash, nga jevgat kënduar,
Kur bashkë kërcejnë e lozin me def.

Më nxisin kakarisjet e pulave, pas vezës,
Dhe këngët e këndesave mëngjesor,
Më tërheq bari, i buisur pas vesës,
Më mahnit perëndimi i diellit në Vlorë.

Mrekullohem nga kënga labe e Çelo Mezanit,
Dhe polifonia himarjote për Vajzën e Valëve,
Nga vargjet e Naimit, Lasgushit e t’Ali Asllanit,
Nga vallja, prej atletësh Ilir, të Çamëve.

Frymëzohem nga rapsodët, që këndojnë me lahutë
Për trimat, përcëlluar nga Serbët mes zjarri,
Nderoj Fishtën dhe Mjedën, të shenjtë e të urtë,
Gazullët, Ndreasit dhe Fisin Jashari.

Vargjet e mia nuk janë të hapura e as të lira,
Siç i shkruajnë poetët bashkëkohor sot.
Dikush thotë: Modernia është më e mira!
-Ashtu lirshëm, vjershëro ti! Unë, nuk e bëj dot!

No comments:

Post a Comment