Wednesday, June 26, 2013

Qazim Muska - ISHULLI PA ËNDRRA














Qazim Muska

ISHULLI PA ËNDRRA

Anija pirate vjedh ëndrrat në ishull
Dhe zërat e drita pakësohen çdo ditë
Mëngjeset vinë zbehtë e dita venitur
Në mbrëmje,
Feneri i Diogjenit në shesh, terrin skërmit.

Në ishull ka ankth se ëndrrat janë vjedhur
Pa ëndrra s’ka gaz e muzikë
Pa ëndrra askush s’shkon për të fjetur,
Pa ëndrra s’vjen dritë.

Muzikë e bretkosave e vetme ka mbetur
Bretkosat nevojë s’kanë për dritë,
Delfinët e bardhë e të zgjuar,rrinë heshtur
Si fokat e mjera rrinë urtë të zinjtë.

Në ishull janë vjedhur ëndrrat – thesari
Dhe rrënjë kanë hedhur letargjitë
Në shesh,feneri-neon i Diogjenit
Dhe rrugëve në mug shpejtojnë kërmijtë.

Larg,
Atje ku bashkohet deti me qiellin
Anija pirate flamurin valëvit.




Përparim Hysi - PIANISTJA













Përparim Hysi

PIANISTJA

Kam pasur një mike që qe pianiste
E kam pasur, o miq, dikur
Humbisja pas saj, kur pianos i binte
Humbisja... më bëhej sikur ?!

Tek luante ajo me gishtat mbi piano
Unë atje me sy e veshë
Sa linte një vals, dëgjoja një tango
E kujtoj dhe buza më qesh.

Se qe mike për mua,aq e aq e çmuar
Si ajo një tjetër nuk gjeta dot
Vras mendjen se ku do ketë qëndruar
Dhe them me vete: - Pse na ndave, Zot ?!

Sa herë tash kur luan dikush në piano
Dëgjoj e shikoj:- Vallë,ajo është ?!
Për çudi:pas valsit seç dëgjoj një tango
O mike e shtrenjtë! Mëndja ma bën fësht !...



Monday, June 24, 2013

Agim Bacelli - QEVERIA...














Agim Bacelli

QEVERIA...

Sot dallova fytyrën e qeverisë,
Tek nxiste "X-in" të gënjente publikisht.
Të mos dëgjoja ika drejt shtëpisë
Për tu qetësuar disi dhe shpirtërisht.

Hapa televizorin, jo kanalin publik,
Një lypsar tërhiqej zvarrë nga një polic!
Dreqi ta hajë! Ku të fshihem, ku të ik?!
S'e ku të shkoj e ç'far të bëj s'dita hiç!

Ndoshta më mirë do të jetë ndonjë klub
Të shkoj e të bëhem xurxull duke pirë?
Nëse dehem kam frikë se rrugën e humb,
Prandaj më mirë le të shoh ndonjë sehir.

Një striptip do më bëjë shumë mirë
Atje ka vajza - gra që zhvishen lakuriq,
Le ta kënaq pakëz shpirtin tim të dëlirë
I cili vuan shumë, këput e mos hiq!

Ashtu bëra. Hyra të shoh grazhveshura.
Dikush, ishte pirë për tu bërë më trim,
Qejfliu bërtiste, oh t'i hëngsha ato cica,
Por polici e zhdëpi si të kish bërë krim!

Gruaja u zhvesh e më ktheu "kuletën",
Gjaku mu ndez, harrova kapon, s'pata frikë.
Në torturë të ndyrë e futa veten,
Oh, sa dëshiroja, fare pak zonjën ta çikë!

Shtriva dorën të kap ata dy fiqtë e saj
Por dora seç më mbeti nderë në hava!
Kundër qeverisë un' kisha bërë faj,
Polic-trapi një dru të mirë më dha!

Po pse moj qeveria ime idiote
Na torturon me një të tillë engjëll-femër?!
Dhe m’u kujtuat gjyshi kur më thoshte:
Qeveria na do të kemi sy, por jo zemër!





Thursday, June 20, 2013

Luan Çipi - VJERSHËROJ SIÇ DUA!















Luan Çipi

VJERSHËROJ SIÇ DUA!

Unë  jetën, siç e ndjej, e shkruaj në  poezi,
Përpiqem, të zgjedhura fjalët t’i rreshtoj,
Nuk pretendoj në çdo gjë përsosmëri,
Për muzikalitet, rritëm e rimë, synoj.

Përcjell zëra cylesh, zilesh e këmborësh,
Gurgullima uji me stërkala nga mali,
Zhurmë, thirrje e britma dasmorësh,
Lehje qensh, a hingëllima kali.

Preferoj mjaullimë maçokësh të eksituar,
Dhe pallje gomarësh kur bien në qejf,
Kuartete zërash, nga jevgat kënduar,
Kur bashkë kërcejnë e lozin me def.

Më nxisin kakarisjet e pulave, pas vezës,
Dhe këngët e këndesave mëngjesor,
Më tërheq bari, i buisur pas vesës,
Më mahnit perëndimi i diellit në Vlorë.

Mrekullohem nga kënga labe e Çelo Mezanit,
Dhe polifonia himarjote për Vajzën e Valëve,
Nga vargjet e Naimit, Lasgushit e t’Ali Asllanit,
Nga vallja, prej atletësh Ilir, të Çamëve.

Frymëzohem nga rapsodët, që këndojnë me lahutë
Për trimat, përcëlluar nga Serbët mes zjarri,
Nderoj Fishtën dhe Mjedën, të shenjtë e të urtë,
Gazullët, Ndreasit dhe Fisin Jashari.

Vargjet e mia nuk janë të hapura e as të lira,
Siç i shkruajnë poetët bashkëkohor sot.
Dikush thotë: Modernia është më e mira!
-Ashtu lirshëm, vjershëro ti! Unë, nuk e bëj dot!