Thursday, October 17, 2013
Vullnet Mato - SYRI QË MË PËRPIU
Vullnet Mato
SYRI QË MË PËRPIU
(Nga ndjesitë e një djaloshi)
Një sy luaneshe
që pashë rastësisht,
qeshi dhe më pas
më vrau me bisht,
Një sy i madh,
me qerpikë të gjatë,
më zgjoi mes gjumit,
vonë në mesnatë,
Një sy që më kapi
shikimin në befasi
dhe m’i mbajti sytë
lidhur në skllavëri,
Një sy që shkrepi
shkëndija saldimi
dhe ma ngjiti fort
te vetja vështrimin,
Një sy me qepallat
plot me gjilpëra,
që thellë në zemër
m’i nguli të tëra,
Një sy që hoqi
trurin nga koka ime
dhe ma mbushi
me ca lodra intime,
Një sy që ngjason
me gjeratore lumi,
dhe duke u vërtitur
më fundosi gjumin.
Oh, ç’desha ta shihja
aq gjatë, atë sy,
që më përpiu të tërin
në thellësinë e tij !...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment