Thursday, October 17, 2013

Fatmir Terziu - DY POEZI














Fatmir Terziu

KUMURI E KALASË SË ELBASANIT

Je ti, e ngulur, e pathirur me zë,
Kumurija e Kalasë së Elbasanit,
përhanur kacafytesh me boshllëkun e zymtë,
si puthje e pakthyer e një vajze të druajtur,
shpërthen një xhaz, shkund delirin,
ëndër pupëlgjatë e shukatur,
vallëzon me Myzyrin.
Janë të tjerat, por je ti,
në bukurinë e pakapshme të qytetit tim,
e bukura Kumuri,
një tingull i trazuar mrekullie,
nga fëmijëria deri në pleqëri,
një perlë e rallë Shqipërie.

DIELL I QYTETIT TIM

Dhe u meke siç treten të gjitha gjërat,
Diell vjeshtor në qytetin tim,
shkopinj të shukatur nga erërat,
të lanë gati thatim.
E di ka kohë, që kam mbyllur qepenat,
kërkoj ndjesë të lashë si në trill,
atë barrikadë nga brenda,
e kam ngritur vetëm për stuhinë.
Dhe çudi si u gënjeva,
i dhashë odës errësirë,
pa dashur Diell, të tremba,
të thashë mes dhimbjes lamtumirë.

No comments:

Post a Comment