Sunday, October 6, 2013

Kaman Myftaraj - PRITJA E GJATË















Kaman Myftaraj

PRITJA E GJATË

Sonte gjithë gëzim, i dashur, ty të prisja,
Të më vije si pëllumb i bardhë e të flisnim gjatë...
Më the do të vij sa të erret, ndaj portën nuk e mbylla,
Gjumin e largova tutje me fëshfërimën e gjethes së thatë.

Sa shumë fjalë zemre kisha për të të thënë,
E ti të zbrazje mbi trupin tim llavë të zjarrtë puthjesh,
Pastaj të dehur nga vera të këndonim një këngë,
Serenatën më të bukur mbi buzën flakë të kuqe.

Të prita, të prita gjatë, derisa u shuan yjet,
Që lotuan gjithë natën mbi zambakët e bardhë,
Pëshpërisnin gjethet prej erës e psherëtinin pyjet,
As ata nuk e duronin dot këtë pritje kaq gjatë.

Dremita një moment dhe ti më erdhe në ëndërr,
Më the mos më prit sonte, se do flas me Zotin
Nesër në mbrëmje pritmë, se me të do të vij si engjëll,
Nuse me vello të më puthësh sytë e të më thash lotin.

Boll më pe e të pashë e përmallur përnatë në ëndërr,
Boll rënkova në shtrat me engjëllin që më vinte pranë,
Tani dua të të kem përjetësisht të më shijosh buzën e ëmbël,
Të qeshim e të lozim lojën “E kam unë, e ke ti” në shtrat.

No comments:

Post a Comment