Vullnet Mato
TAKIM TE MBRETËRESHA E ADRIATIKUT
Në sallën e koncerteve të tragetit shqiptar
të ankoruar në Durrës, “Queen Adriatika”
u ngjitën dhjetra emra të dëgjuar vjershëtar,
mes nesh mbretëresha e interpretimit, Margarita1)
Nën këmbët e tona nën fundin e anijes së gjatë,
nën dallgët e zbutura nga tingujt e fjalëve të arta,
flinte historia mijëravjeçare e Dyrrahut të lashtë,
poshtë thellësive të mbuluara nga shekujt dhe balta.
Flinte kultura dhe qytetërimi ynë parahelenistik,
poemat e bardëve të shkrumbuara prej luftërave,
dashuritë e vajzave të mbytura nga kanuni fanatik,
armët e armiqve fundosur nga vërshimet e ujërave.
Flinin monedhat e arit dhe amforat e varrosura,
bashkë me skeletet e velave të tretura nga kripa,
flinin trimëritë që çanë dallgëzimet e pasosura,
nga brigjet e Ilirisë gjer në ujërat ku laget Afrika.
Sipër tyre ngrohte ajrin poezia përzier me rrezet diellore,
duke shpërndarë thirrmat e forta të magjisë së shpirtit,
që ka vargu poetik për të zbutur zemrat e njerëzore,
për shpirtmirësinë, për dashurinë, për lirinë e individit.
1)Artistja e Popullit Margarita Xhepa
No comments:
Post a Comment