Vullnet Mato
PUTHJA E GJALLË
Shoh disa, me të cilët
dikur shëtisja udhëve,
për të shtyrë mbrëmjet
me çapitje gazmore.
Shkuan në varreza
me arkivol mbi supe
dhe lanë emrat
mbi tabelat rrugore.
Tani ndjej mungesën
e vezullimit të syve të tyre,
kur netëve xhironim në rresht,
si tufa e zogjve në tela.
Më mungojnë fishekzjarrët
e atij gazi plot qyfyre,
me nxitimin për të lënë
emrat nëpër tabela.
Do ta doja emrin tim
vetëm në atë shëtitore,
ku një hënëz argjendi
putha për herë të parë.
Por ngazëlloj që ende
shëtis me nipat përdore
dhe me puthjen e gjallë
buzëqesh nëpër
trotuarë.
Hëna ma lexon emrin
në kujtesën e sotme të ajrit.
Unë ia shfletoj puthjen
nëpër gjethet si zemra.
Deri sa qielli të më lërë
në ditë - netët së
gjalli,
si homazh dhe për ata
që mbetën vetëm emra.
No comments:
Post a Comment