Vullnet Mato
SHTËPIA ME XHINDE
Ati ynë me toka pjellore
dhe shtëpi të shenjtë në Vurg,
la zogjtë vocërrakë pa fole,
nën breshërin e pamëshirshëm.
Sepse ziliqarët i rrëmbyen pronat,
pasi e kishin rrasur në burg,
me dëshminë e rreme,
për agjitacion të rrezikshëm...
Ah, shtëpinë dhe tokat tona
i mori kush s’i pa as në ëndrra!...
Nga ajo reformë grabitqare
që shkallmoi pasuritë e vatanit.
Ndërsa ati ynë i mjerë,
la hekurat për të jetuar në tënda,
mes beduinëve të turmës sonë,
në shkretëtirën e Ballkanit.
Pasi u shembën ligjet hata
që kish ngritur ferri i kuq,
sherrsjellësi i madh “7501”
famëkeqi ligj i ri,
pronat tona ua fali sërish,
atyre që thanë se ishin bujq,
por kishin ikur emigrantë,
të fitonin me dy shtetësi.
Ata shitën tokat me gjithë varre
dhe shpallën trimëri:
“Kush vjen tek ne
të kërkojë shtëpinë dhe tokën,
që na ka dhuruar
ligji i shtetit me bujari,
vjen me dëshirën e tij
për të lënë këtu kokën!...”
Bija ime u bë kureshtare
për kryefjalën shtëpi të gjyshit,
ngulmoi ta shpimin aty ku koka
kërkohej peng i vizitës.
Refreni i saj i përsëritur
arriti së fundi të na grishi,
ta çonim me makinë të maskuar
deri në afërsi të frikës!
Ajo pa ëndrrën nga xhamat
dhe lëshoi psherëtimën shpirtit:
“Eh, ta kishim këtë shtëpi
majë kësaj kodre të praruar!...
Do jetonim sikur kodra
të ishte vetë prehri i gjyshit,
që shkoi në qiell buzëplasur,
si patriark i pikëlluar!...
Por këtij absurdi këtu i thonë:
Të kesh frikë shtëpinë ku linde,
se aty brenda banojnë xhinde!”...
No comments:
Post a Comment