Tuesday, November 8, 2011

Kaman Myftaraj - SHTEGTIMI



Kaman Myftaraj

SHTEGTIMI

Në viset ku jetoj unë tashmë erdhi dimri,
I ftohtë e hakmarrës ndaj verës së nxehtë.
Zogjtë tufa-tufa përgatiten për shtegtimin,
Atje ku si ngaherë një tjetër verë i pret.

Disa prej tyre e gjejnë gati folenë.
Çiftet e reja do lindin gjeneratën e parë,
Në foletë e reja që do fillojnë të ngrenë,
Me fijet e grurit korrur qysh në behar.

Patat mikesha më përshëndesin çdo ditë,
Të mbledhura tufë më trokitën në xham,
Më pyetën, mos vallë ke dikë në ato vise,
Që pret prej teje ndonjë letër a mesazh?

Ju thashë se aty një bukuroshe lutet çdo ditë,
Të më ketë pranë zemrës e dashuri t’i fal,
T’i puth buzën flakëndezur e të dy sytë
Të thurim folenë me rrezet e diellit ngjyrë ar.








No comments:

Post a Comment