Sunday, November 6, 2011

Vullnet Mato - ÇIFTI I XIXËLLONJAVE



Vullnet Mato

ÇIFTI I XIXËLLONJAVE

Ata janë kthyer tani
në dy xixëllonja.
Bëjnë jetë nate
secili më vete. 
Nuk shkëmbejnë  
si dikur xixa te goja.
Ai ndriçon shokun,
ajo një shoqe jete.

Struken mbrëmjeve
në lokale të veçantë
përtypin muhabete
që hahen shoqërisht.
Ai nuk lëpihet më
si qenushi i saj i parë,
Ajo s’është më macja
që pas tij tundte bisht.  

Bëjnë xixa netëve  
si në dimër e në verë.
Ajo përdor ndriçimin
që fiton me punë,  
ai rrezatimin e tij
harxhon me të tjerë.
Secili bën dritë,
ku i pëlqen më shumë.

Ndrisin së bashku,
natën e Vitit të Ri,
të detyruar nga halli,
që kërkon kremtimi.
Kryevitin e xixëllimit,
struken në shtëpi,
pasi lokalet zihen
me xixëllues vallzimi.

Ndonëse bëjnë xixa
në fis dhe në lagje,
dashurisë ia shkulën
rrënjët nga gjaku.
Figurojnë lidhur çift,
sa për sy e faqe,
kur në zemër ka secili
vetëm borë e akull.

Problem brenda shtëpisë
do kenë me xixëllimin,
vetëm dimrin e fundit
nga ngricat bllokuar.
Kur qark të shkurtër
do bëjnë xixat e afrimit,
të karbonizohet secili
në shtratin e vetmuar…

No comments:

Post a Comment