Saturday, September 21, 2013

Fatmir Terziu - DY POEZI















Fatmir Terziu

PAQLOTI

Grashinë e vjeshtës më zgjoi. Paqlot
gjunak në xhamin e skithët,
la çarmin e tij gri,
ngutshëm mori dorazi tinëz,
surratin e qiellit të nxirë,
pastaj menjëherë hodhi firmën,
për më pak errësirë.
Hundarak mbi Tamiz,
u shfaq dielli dhëmbëshkulur,
si një tapet persian që lëviz,
paqlotin për të shkundur.
Grafika të murrme me korda,
pushtuan xhamin tim,
litarët u shtriqën tek porta,
ishte thjesht një vegim.
Paqloti kish zënë mbi qepalla,
enkas të më gudulisë,
loti nuk qenka si në përralla,
edhe i paqtë kur lëviz.


DHEMIRI IM

E kuqja gjak e derdhur në perëndim të Diellit,
si shenjë e betejës së lodhur me natën,
qaset e bashkuar,
në një pikë krahëhapur,
mbi vendin e bekuar,
një zog vjen i përmallur.

Dheu im më prit,
të bardhin gëzim të valëvisim bashkërisht.

Kam folur jerm gjatë gjithë natës,
marrëzisht,
një batanije përshfaqej në ajër,
një romuz mendimesh,
pështjellë me re,
klithma të zhubrosura në pelerinën astar,
dhemiri im, ka hyr djalli mes nesh,
kërkon me zor të na ndajë.

Me një vulë, në një Zot ne besojmë
se të gjithë njerëzit krijohen të barabartë,
sall vetja diçka harrojmë,
kur sulemi me tutkall mbi hartë,
ngjisim lavdi jomeritore,
me eshtra skeletesh të vrarë,
prore, falëdheu im, prore.



No comments:

Post a Comment