Sunday, September 22, 2013

Diamanta Zalta - I BUKURI IM















Diamanta Zalta

I BUKURI IM
  
Më pështillte fytyrën me pëllëmbët
E vogla të tij ,
E më thoshte -  Flit , vetëm Ti !
Tani .
  
Sa i bukur ai sy, i zgjuar ,
Çuditërisht i shëndritshëm
Diamant i zi  .
  
Nganjëherë shpërthente I lumturuar –
-I want to say,  something ?
Love you, Teacher D- i !

-Të dua edhe unë shumë , por
Përveç shakasë , kemi dhe mësim .
Shtrembëronte buzët e bukura ,  
 Dhe nga I prapë , bëhej  djalë i mirë .

Edhe zëri  cicërimë,
Edhe sytë e shkëlqyer  ,
Edhe buzëqeshja e çiltër ,
Tani jetojnë në parajsë ,
Dhe trupi i flashkët nën sqetullat e njoma ,
Ka nxjerrë krahë...

Pëllëmbët e vogla të duarve ,
I kam akoma në faqe ,
Ai ka puthjen time në ballin e ftohtë ,
Vdekjes për ti bërë Paqe....


Saturday, September 21, 2013

Fatmir Terziu - DY POEZI















Fatmir Terziu

PAQLOTI

Grashinë e vjeshtës më zgjoi. Paqlot
gjunak në xhamin e skithët,
la çarmin e tij gri,
ngutshëm mori dorazi tinëz,
surratin e qiellit të nxirë,
pastaj menjëherë hodhi firmën,
për më pak errësirë.
Hundarak mbi Tamiz,
u shfaq dielli dhëmbëshkulur,
si një tapet persian që lëviz,
paqlotin për të shkundur.
Grafika të murrme me korda,
pushtuan xhamin tim,
litarët u shtriqën tek porta,
ishte thjesht një vegim.
Paqloti kish zënë mbi qepalla,
enkas të më gudulisë,
loti nuk qenka si në përralla,
edhe i paqtë kur lëviz.


DHEMIRI IM

E kuqja gjak e derdhur në perëndim të Diellit,
si shenjë e betejës së lodhur me natën,
qaset e bashkuar,
në një pikë krahëhapur,
mbi vendin e bekuar,
një zog vjen i përmallur.

Dheu im më prit,
të bardhin gëzim të valëvisim bashkërisht.

Kam folur jerm gjatë gjithë natës,
marrëzisht,
një batanije përshfaqej në ajër,
një romuz mendimesh,
pështjellë me re,
klithma të zhubrosura në pelerinën astar,
dhemiri im, ka hyr djalli mes nesh,
kërkon me zor të na ndajë.

Me një vulë, në një Zot ne besojmë
se të gjithë njerëzit krijohen të barabartë,
sall vetja diçka harrojmë,
kur sulemi me tutkall mbi hartë,
ngjisim lavdi jomeritore,
me eshtra skeletesh të vrarë,
prore, falëdheu im, prore.



Wednesday, September 18, 2013

Kostaq Duka - PULLA













Kostaq Duka

PULLA

Në fëmininë e ëndrrave
kur udhëtarë të lirë ishin vetëm zogjtë
pulla e vogël pranë ma solli botën.
Edhe pse
e  lehtë si një pupël
mbi krahë të saj
preka madje hapësirat e nxehta të Afrikës.
Por…u rrita
Pullat u zverdhën brenda faqeve të mëdha te atllasit
Si mes nje burgu pa ajër e dritë.
Tani
Flokëthinjur tek shëtit hapësirave të lira
vleresoj dritëzën që vinte nga pulla e vogël
kur përreth kish aq shumë  errësirë.

Edlira Doko - NË GJIRIN TËND













Edlira Doko

NË GJIRIN TËND

Më prit nënë, tek shkalla...mos hyrë brenda.
Po vij, me flladin e parë, sapo të çelë dita,
Hapi dritaret,  të hyjë era, siç ma ka ënda,
Të kujtoj, ditën e atëhershme, kur të putha e ika!

Kujtim, kam lotin tënd në faqen time, edhe sot.
Sa herë ndiej mall, me dorë ia heq dhimbjen,
Lutem të jesh mirë, them: jepi jetë o Zot..!
Sa herë më thua: çupë, marrsh nga jeta ime !

Sot, ta dëgjova zënë e  drithëruar nga malli
Mundoheshe drithërimën ta fshihje me emocionet,
Hidheshe nga një degë në tjetrën, nga halli… 
Por, unë jam brinja jote, t'i njoh mirë zakonet !

Më merr, nëna ime në prehër, më merr…
Në krahët e tu të dremis, si dikur fëmijë,
Ngela ajo e vogla, nuk  rritem asnjëherë,
E ndonëse jam vetë nënë ...kërkoj tëndin gji !










Agim Xheka - SI FLUTURIMI I NJË ZOGU...

















Agim Xheka 

SI FLUTURIMI I NJË ZOGU...

Oh! Sa me dhemb fluturimi i një zogu
i nje zogu te vetmuar ne vjeshte...
Me mberthejn ankth edhe frike së toku
Teksa e shoh te ulet mbi nje kreshte...

Nuk e di nese ulet per pak pushim
apo ka humbur rrugen e kerkon orientim...

Keshtu si ky zog i vogel ike edhe ti
Dhe nuk e di nese diku e ndale fluturimin
Nuk e di nese je gjalle a ...kushedi
si gur fati pas kurrizit leshove harrimin

Nuk e di nese arrite te ngresh fole
Apo botes se erret iu dorëzove si pre

Ndersa zogjte kthehen serish ne pranvere
Shtegetojne ne folezen e tyre te vjeter
Ti nuk u duke ne horizont asnjehere
As pellumb nuk dergove me nje gisht leter

Nuk pres te kthehesh. Tanime eshte vonë
Druaj se mos pate fatin e dashuris tonë

* * *
Sa her shoh zogjte ne udhe te shtegetimit
I shqyej syte mos te gjej ne mes tyre Ty
Zemra me tkurret nden peshen e trishtimit
E nje pik loti si gjak ma percjell ne sy.