Monday, March 18, 2013

Makfire Cenolli - AMANETI















Makfire Cenolli

AMANETI

Babai im i ndjerë
më pat thënë disa fjalë:
Bija ime e dashur,
kur për mua të kesh mallë,
kujtoje Mollën e Kuqe
ta shuajsh atë zjarrë!
Atje gjyshja jote
dikur u bë nuse,
varret e të parëve tanë
i ke te Molla e Kuqe!
Atje i ndërtoi foletë
dikur vetë shqiponja,
sepse Molla e Kuqe
ishte vetëm e jona.
Që nga Molla e Kuqe
e deri në Çamëri,
quhej toka jonë
me emrin Shqipëri!
Po iku nga kjo jetë
me dhimbje në zemër,
duke e parë Mollën e Kuqe
vetëm nëpër ëndërr.
Kur të vdes një ditë
t'më mbuloj dheu i zi,
ma mbill një mollë te kuqe
te varri im përmbi.
Mos e leni Mollën
ta hajë Milingona,
sepse Molla e Kuqe
është vetëm e jona.
Ky ishte amaneti
i të ndjerit tim eti,
që as dheu vetë
kurrë s'ka për ta tretë!












Vullnet Mato - SI MUND TË BËHET PORTRETI YT










Vullnet Mato

SI MUND TË BËHET PORTRETI YT

Kur kam pasur pikturën
pasionin e parë në art,
bëra portrete me vaj,
akuarele e ç’më zinte dora.
Tani ngjyrosjen e njeriut e bëj
me renditje fjalësh në varg,
dhe për portretin tënd të rrallë
do ngjyej penelat në metafora.

Për të pikturuar flokët e mëndafshtë
që luhaten supeve si lavjerrës,
do marr kataraktin e një ujëvare
që lëshohet nga lartësitë,
ku dita parukiere i kreh kaçurrelat
me krehrin e erës,
për të pritur zogjtë e etur
që kthehen të lodhur nga largësitë.

Kujdesin më të madh,
do ta bëj te përngjasimi i syve.
Ndoshta Ohri dhe Prespa,
liqene ngjitur pranë njëri-tjetrit,
bashkë me dy vetulla vargmalesh
që mbajnë mbi krye,
do të krijonin vështrimin tënd,
notues në ngjyrat e spektrit.

Më lehtë mund të formohen
buzët e tua gazmore rreth gojës,
kur herën e parë më the,
se më doje mbi të tjerët përqark... 
Vala e Drinit kur bashkohet
me dallgën e detit te delta e Velipojës,
mund të jepte imazhin ngazëllues 
që kam fiksuar nga ai çast...

Oh, puthja ishte një përzierje
Fryme me aroma lulesh plot nektar,
që nuk mund të materializohet
me asnjë ngjasim të dytë.
Ajo figurë mund të krijohet
në këtë portret të vonshëm imagjinar,
vetëm po të vish të thuash sërish:
“Hesht, o shpirt dhe mbylli sytë!”...       











Saturday, March 16, 2013

Lida Lazaj - NË EMËR TË SHPIRTIT TË PETALES












Lida Lazaj

NË EMËR TË SHPIRTIT TË PETALES

Ja,
bije shi
edhe pranvera s’ka qejf të vijë
sepse u grindëm ne të Dy

Ish veshur nuse kumbulla e vogël
Por simfoninë e rënies së lirë të petaleve
E ndjeva, kur pentagram i shtrova bisedën me Ty

Thonë, kur ngjit biseda: ka shpirti orgazëm…
…dhe u projektua, në harkun e buzëqeshjes
përqafimi i së nesërmes
pse jo dhe puthja, kushedi

Po, ku u gjend ku u gjend ky thumb i hidhur
 kjo grerëz`  që na pickoi, si rron në hoje mjalti , si?

Sikur të mundja,
do ta  shkatërroja që nga themelet kët`botë të plakur
do ta ndërtoja  në një model të ri
vetëm mos të lëndoja Ty

Qenka e shkruar: ” udha e qumështit,
 nuk është për shpirtra me një alkimi”

Nuk ka më, muzikë petalesh
Kumbulla e vogël u zhvesh, laget në shi

Ka vetëm ditë të gjata përtace, që zvarriten në limonti
Ka natë makthesh dhe ëndrra domethënëse me kuptim:
“nuk mbillet pylli në saksi”





Thursday, March 14, 2013

Kaman Myftaraj - ERDHI PRANVERA NË GËMUSHA












Kaman Myftaraj

ERDHI PRANVERA NË GËMUSHA

 
Poshtë një gëmushe që bën gjumin e dimrit,
Çelën manushaqet dhe vendi kundërmoj.
E dehur nga aroma, gëmusha hapi qerpikët e sythit
Dhe bashkë me manushaqet nisën të kuvendojnë.

Jam e para mes shumë lulesh, që sjell pranverën,
Tha manushaqja e bukur e mbushur plot aromë,
Pas meje te tjerat si mozaik lëndinat i qëndisin ,
Të vijnë çiftet të argëtohen të nisin të dashurojnë.

Me ne bëhen kurorat që dehin bukuroshet,
Me ne qëndisen veshjet që bukurinë atyre u shtojnë,
Me ne edhe vetë natyra, si nuset zbukurohet,
Ne vetë jemi jetëshkurtër, por juve jetën u zgjatojmë.

Sunday, March 10, 2013

Aleksandra Adami - MË I BUKURI UDHËTIM











Aleksandra Adami
(Nxënëse Greqi)

MË I BUKURI UDHËTIM
 
Me shpejtësi, kjo zemra ime rreh,
nesër për mua do jetë një ditë e re,
nesër do të ndodhem në Shqipëri,
aty ku kanë lindur prindërit e mi.

Kur udhëtimi fillon, zemra pëlcet,
gjithë autobusi, gjuhën shqipe flet.
Jam mes Shqiptarësh, oh sa lumturi!
Nesër në mëngjes do jem në Shqipëri.

Kufijve u afrohemi, hyjmë në tokën tonë,
zemra rreh tik-tak, ndjej tjetër aromë.
Arome Shqipërie, aromë mrekullie,
sa gjë e bukur të jesh prej Shqipërie!...

Shqiponja me shoqëron, kudo ku shkoj
kuq e zi janë flamujtë që aq shumë adhuroj
si flamuri që mbaj me vete në gjoks e shtrëngoj
në më të bukurin udhëtim, që kurrë s’e harroj

Mentor Thaqi - DERË MË DERË...













Mentor Thaqi
 
DERË MË DERË... 
 
I lamë kockat, rrugëve t´botës,
derë më derë, tretëm rininë,
kot mundohemi, në teh t´gotës,
duke pirë, s´heqim mërzinë!

Jemë të humbur, s´jemë të lumtur,

malli djegë, për Gurë-Sokaku,
jo, malli s´tretet, dhimbja mbetet,
zemrat kalli, ah, i shkretë meraku!

O mërgim, ti plagë e vjetër,

ka shumë shekuj që na ndjekë,
jo, nuk kemë dhe një jetë tjetër,
kemi mbetur, për t´gjallë, vdekë!

Kush jam sot? Po, dje kush isha?!

S´ka njeri që më qanë hallin,
Ah, o Zot, më ndje! U prisha!
Veç Nënë-Mjera, s´e tretë mallin!

Mërgimtar, o hije e humbur!

Ëndërrat tuaja, në botë i tretë!
Zemërvrarë, kurrë i lumtur!
Se kush je, s´e din as vetë?!

Nëse ke, një fat të fundit,

të të vënë një Gurë mbi Varr!
N´tokën tënde, që n´djep t´përkundi,
apo, është ëndërr e marrë?!

Jo, gjë s´more, vetëm dhe,

nga Atdheu, që pas e le!
Fundi i fundit, kaq ke një hisë,
ku të dha Nënëlokja sisë!

Thursday, March 7, 2013

Em Imeri - DASHURIA S'KA MBARIM !












 
Em Imeri

DASHURIA S'KA MBARIM !

Pa pushim nëse do të qaj qielli,
në lindje nëse do të perëndon dielli,
terri-dritën nëse e pengon,
as atëherë, dashuria nuk mbaron !

Lulet nëse vyshken në livadhe,
drunjtë nëse thahen nëpër male,
pranvera nëse më nuk lulëzon,
as atëherë, dashuria nuk mbaron !

Zogjtë nëse më nuk cicërojnë,
bilbilat nëse më nuk këndojnë,
burimi i ujit nëse shteron,
as atëherë, dashuria nuk mbaron !

Edhe ti nëse shpinën ma kthen,
tek unë nëse më kurrë nuk vjen,
shpirti nëse më rënkon, fryma ndalon,
as atëherë, dashuria nuk mbaron !

Ymer Nurka - KËNGA E SILES SË BUKUR














Ymer Nurka

KËNGA E SILES SË BUKUR

 
Tridhjetë ditë sëmurë, na kishte kaçaku.
S'bënte derman mjalti, s'bëntë as farmaku.
Në mes tre livadhesh, po lëngonte plaku.
Tretur nga veremi, tretur nga meraku.

Tutje flaku bukën, ujin tutje flaku...
Herë-herë venitej, herë i vlonte gjaku.
Po i çahej zëmra, si arra nga sharku.
Priste, Silen priste, ky Shahin Matraku.

Seç të hodhën trimat në vithe të mushkës.
Gjeraqinë e malit dhe thëllëzë e fushës.
Beli yt i hollë, si gargi e pushkës.
Të keqen e gjirit, të keqen e gushës.

Ah po kur të shpunë, ballas me Shahinë.
Në gjunjë t'u ul trimi, të puthte pëqinë.
Të dehu me qumshtin e bejkës kërthinjë.
Dhe ta shtroj jatakun bar e trëndelinë.

Luginës, se bardhe, ra mjekra dëborë
Të dy ftonjt’e çupës, ç'i vranë kraharorë
Kjo ushtri e Siles sa dyzet taborë
Ç'e mposhti kaçakun , kaçakun e gjorë

Çelën, lulet çelën, o në tre livadhe.
Po puthej ariu, bashkë me një sorkadhe
Dashuria shokë, qenka punë e madhe
Shpëtoj kapedanë edhe kësaj radhe.

Wednesday, March 6, 2013

Diamanta Zalta - STINA E TË DASHURVE













Diamanta Zalta

STINA E TË DASHURVE
 

Here e bute dhe e qete ,
Here hyjnore dhe e qelqte
Here shtrëngatë e rrebesh . . .

Ca shkulme varen tek rrufetë ,
Ca te tjera veshin rete ,
Disa shkarkohen neper pjergulla ,
Gjethe e peme .
Disa nen toke thelle ,
Pushojne , e flene . . .

Një kenge ,
Me Diellin ben shoqeri
Nje tjeter me shiun ëmbel flet ,
Ajo qe zbret ,
E tek zemra ,
Gjithmone shket -
Me përket . . .

E ndrojtur ,
Tronditëse ,
E pashprese ,
Por sa e bukur është . . .

E brishte si vese . . .

Tuesday, March 5, 2013

Aleksandra Adami - ENGJËJ MIRËSIE












Aleksandra Adami

ENGJËJ MIRËSIE

Mendoja se bota ishte e errët,
si qielli në ditë shiu të vrerët,
por sa shumë kisha gabuar !...
Rreth meje zoti engjëj ka dërguar,
engjëj mirësie, engjëj dashurie,
engjëj që të falin grimca lumturie.
Engjëj që i thonë buzëqeshjes: ndriço!
dhe lotit i thonë: sa më larg ti shko!...
S'di këta engjëj, a lodhen në jetë,
apo lodhjen e tyre kanë sekret,
se duan në heshtje të bëjnë mirësi,
siç do vetë zoti për njerëzit e tij?... 
Engjëj mirësie, engjëj dashurie,
o, engjëj që të falni grimca lumturie,
me ju dua të lidhem si hëna me yjet!

Monday, March 4, 2013

Raimoinda Moisiu - NDJEVA...













Raimoinda Moisiu

NDJEVA...

Dritares sime, pranvera i ka dhuruar,
blerimin e pemëve,
simfoninë e ujit qe gurgullon
dhe
parkun Elisabetë....,
me mashtrimin e kuq te trendafilave.
Vështrimi im,ngulur ne sytë,
e kujtimeve te mija...
Neper erresire...,
peshperitje ledhatuese,
perqafuar nga krahet e ngrohte;
Aroma e flokeve te tua,buzët
mbi
dy trendafilat ngjyre roze;
perhumbja e lumtur,
nga puthjet e zjarrta,
aty...
ku te dashuruarit
zgjatin gishterinjte
e dehen
me eliksirin e dashurisë.....
Nen driten e henes,
ndjeva lekuren tende,
pasionin qe shkelqente zjarr,
mbi gjoksin tim.
-.-
Ndjeva.....!
Mekatin, qe
gishterinjte e mij kerkonin,
ne butesine e njeri-tjetrit,
në
misterin e
bashkimit....
Afrohu, dashnori im!
Vështro yjet!
Jane adhuruesit tanë.
Ndjeji rrahjet e zemrës,
ankthin e dashurise.
Le t'i falemi çastit!
Ne këtë vetmi te qetë,
me rrezatimin e endrrave,
perkundemi lehte ne krevat ,
me nje parfum te veçante,
nen kundrimin e fytyres se dashurisë...
Mermerin e trupit tim,
Zbukuroje,
me livadhin e kuqëlimit të zambakeve,
nga ledhatimi i buzeve,
ne kete folezë te dashurisë,
ne dritën e argjendtë të henës...




Sunday, March 3, 2013

Vullnet Mato - TRUMA ME ZOGJ
















Vullnet Mato

TRUMA ME ZOGJ

Brenda meje ligjëron
një trumë me zogj,
dhe rreh krahët pa pushim.
Ata më këndojnë
çdo stinë në gjoks,
përmbi degët e gjelbra
të shpirtit tim.

Është vetë pranvera
e lulëzimit njerëzor,
të qeshurat dhe puthjet
e zjarrta të stinës.
Janë buzët manushaqe
mbi gjirin amësor,
që thithin kulloshtrën
e yllit të Afërditës.

Brenda meje
një trumë me qyqe,
drithërojnë zërat
me klithmat e vajtimit.  
Janë dhimbjet fatkeqe
të gjithë miqve,
që më shkundin gjethet
e thara të shpirtit. 

Ndodh brenda meje
truma e madhe me zogj,
shpesh këndon aq fort,
sa më buçasin veshët,
po kur jehona cicërimave
zërat e qyqeve mbulon,
atëherë bëhem foleja 
ku zogjtë ngrohin vezët...

Vjollca Tiku Pasku - ÇASTE LUMTURIE
















Vjollca Tiku Pasku

ÇASTE LUMTURIE

Në kosheren e heshtur të agut, kur zgjohet,
bletëza ajri të bardha përzënë grerëza errësire,
dielli fryn me frymën e artë tokën që ngrohet,
më përcjell në punë me buzëqeshje rrezesh dëlirësie.

Pas pune me dëshirë kthehem në folezë,
fëmijët më presin si zogj me cicërimë,
duart e tyre më përqafojnë si dredhëz,
qiellin ma zbresin në tokë me ngazëllim.

Shoqërinë, maturën e viteve kur takoj,
tjegulla kujtimesh rendisim në biseda,
qeshim si kokrra bizelesh kur lundrojmë,
në qiejt e kaluar e në kohët e vjetra.

Kur domatet e kopshtit me dorë përkëdhel,
mollëzat e bukura si të diellit u kuqëlojnë,
pjepri nga hëna, dritën i ka marrë si mantel,
mes tyre kokë më kokë, një gjuhë pingërojnë.

Në mbrëmje kur nata vesh pelerinën e saj,
ngjyrat e yjeve si kopsa mbërthehen në vezullim,
një yll bashkëshortësie në zemër mbaj,
jemi dy aviatorë që mbajmë një ritëm në fluturim.

I mblodha të gjitha gëzimet e ngrohtësitë,
çdo çast një petale erë mirë kënaqësie,
e formova një trëndafilishte të madhe me kaltërsitë,
trëndafilin më të madh, e quajta trëndafil lumturie.