Monday, June 16, 2014

Vullnet Mato - MBRËMË NË GJUMIN E MESNATËS












Vullnet Mato


MBRËMË NË GJUMIN E MESNATËS

Mbrëmë në gjumin tim, u përplasën retë
dhe unë gjithë natën u ktheva në vetëtimë.
Tërë qiejt rrotulloheshin
sipër meje përpjetë,
teksa me shpatën e zjarrtë, i çaja
mespërmes me flakërimë.

Ç’ke, or bir, që vetëtin atje lart?
më thërriste nga parajsa,
nëna ime flokëbardhë.
Me kë je zemëruar aq rëndë, or vëlla i madh?  
pyesnin tre vëllezërit,
ikur nga jeta vite më parë.

Pse nxore nga milli shpatën e fjetur në mur?
më qortoi motra
që shkoi në eden, pas nënës,
ne nuk jemi në sofër,
aq sa ishim dikur,
që e ndave në shtatë thela pjeprin e hënës?

Pse, or babë, u zemërove me qiellin e zotit,
klithën me lot shiu,
djemtë dhe vajza e vetme,
duke u munduar të më zbutnin
me ca fjalë kotsëkoti,
teksa shkallët e jehonave, tundnin nënvete.

Me cilin po zihesh aq egër,
ti që s’je grindur kurrë?...
bubullinte gruaja e mahnitur me nervat e mia.
Mbaje zemërimin,
dhe zbrit nga qielli, more burrë !
se zgjove mëhallën në këtë orë që flenë fëmija!...

Nuk zbres, jo dhe jo!...
gjëmoja nga lart me vringëllima,
do t’u pres fijet hyjnore të shpirtit,
gjithë të liqve dhe hajdutëve shqiptarë,
do t’i bëj të tërë pluhur e hi, me vetëtima,
që s’na lënë të ngjitemi dhe ne,
te begatia e qytetërimit ndërkombëtar!...

Zbrit, or jahu, zbrit, se ti je vetëm një,
tani kur gjithë burrëria tjetër flë!...
Nuk zbres, jo dhe jo,
sonte do t’ia bëj fora!...
Por, ah... dielli mëngjesit,
ma rrëmbeu vetëtimën nga dora!...

No comments:

Post a Comment