Friday, June 20, 2014

Vullnet Mato - KËNDO, O ZOG, KËNGËN E TË BRAKTISURVE!












Vullnet Mato

KËNDO, O ZOG, KËNGËN E TË BRAKTISURVE!

Në folenë e shelgut,
sodita një zog lakuriq,
kur sapo nxori sqepin
nga guacka e një veze.
Fantazia analogjike
në folenë e trurit tim,
nxori sqepin nga lëvozhga
jetësore e njerëzve,

Ashtu fëmijët tanë,
sapo u dalin flatrat,
braktisin foletë 
për fluturime emigrimi,
kthehen veç për varrimin
e nënave dhe etërve,
pasi i kanë lënë prej vitesh
nëpër vatra harrimi...

O zog i lamtumirës,
që të thërresin retë,
pasi kanarina të ngrohu
në folezën e kashtës,
dhe sqepin tënd delikat,
ushqeu me sqepin e vet,
duke ta bërë gati
gëlltitjen e kafshatës;

Para se të fluturosh,
për në qiellin e largët,
këndo një këngë
me dhimbsuri fëmije,
për tërë të braktisurit,
të mbetur pa të afërt,
në dhimbjen e tejdurimit
me dinjitet pleqërie!...

Këndo, o zog, për pleq,
si trungje të vetmuar,
të leqendisur, të tharë,
të uritur, të sëmurë,
teksa presin fundin,
fluturimin e pikëlluar,
drejt qiellit të vdekjes,
për të mos u kthyer kurrë!...

Këndo, o zog, këndo papra,
një këngë lotimi vetëm për ta!...


No comments:

Post a Comment