Monday, January 13, 2014

TRI POEZI - Fatmir Terziu















TRI POEZI
Fatmir Terziu

ADN E DHEUT

Pak dhe kemi secili me vete. ADN
të gërryera humbëtirave baltore
diku në kërc të syrit të fiksuara
si plazma të shukatura zanore.
Një grusht dhe e meritojmë secili
të shkulur nga shkulmi i nxehtë i tokës
ku trokasin karvanë të ngarkuar e shkarkuar mendimesh...
...ja Ti më shfaqesh si prej dheut më të mirë e gatuar
një shenjë e trazuar nga majucka e takave të tua
mbi sofatin e mbrëmjes
e shkruar me maja dheu të përzgjedhur për mua.
E sheh? Të dy pra kemi pak dhe.
Nga Toka jonë që na fali shkeljen tonë të parë,
është një legjendë, një mit, një këngë
nëpër murre të lashta që na mban gjallë,
në këtë kohë ku mijëra moda flakërojnë,
horizonteve reale dhe virtuale,
me (pa)dashje dheun tim dhe tëndin e trazojnë.

FALJE GURËVE TË THEMELIT

Ia ngrini pak muret, të marrë frymë ky themel,
do ia shkelim prapë gurët prapë për mot e jetë,
ia ngrini ju lutem, siç ia ngritën të parët,
dhe kur mbi të u flijuan vetë.
Kërkova poshtë gurëve të hedhura me kujdes,
thellë në themelin e kësaj vatre të madhe, të dashur
kërkova poshtë dhe gjeta dete dhe lumenj
hënën e zbritur që shëtit në legjendat e murimit,
Perrinë e ngjizur me këtë dhe,
matanë hapësirës së fjalës,
që la mantelin e saj të bardhë borë,
të shkruar me ngjyrë gjaku të ndezur
... një shqiponjë në mes e qëndisur me dorë.
Ndërmend më ka ardhur shpesh kjo fjali:
“ia ngrini pak muret, të marrë frymë ky themel”,
dhe në ëndrra pse më shfaqet nuk e di,
kush vallë atë me këmbë po e shkel?


NJË GRIMË DHE’, MIKJA IME

E shkunda një grimë dhe të vjedhur nga këpucët e mia
me dufin e një shkelmi prej furisë,
dhe eca i përhumbur mendimeve të ngrira,
ah, sikur ta shpija në vise fantazish!

Një grimë, mikja ime, një grimë dhe,
kam vjedhur padashje në ikje e sipër,
me ty dhe me të kam ringritur pak Atdhe,
ashtu të bukur, të dashur, të virgjër.
Ndërsa këmba ime ka hyrë në mëkat,
unë sytë i mbaj atje që të kërkojë falje
për dheun e ngjeshur, bërë baltë
edhe pse në sytë e Tjetrit është tallje.

Po Ti më ndje. Sidoqoftë
unë këtë dhe e mbaj siç të kam Ty
dhe kur mban vapë dhe kur bën ftohtë
e kam dritë të vetme në sy.

No comments:

Post a Comment