Vjollca Tiku Pasku
MË PRIT !
Kalëroj symbyllur
përmbi det,
me shpejtësinë e dallgëve
radhë-radhë.
Fryma ime valëzon pareshtur,
me shushurimën e shkumës,
mantel i bardhë.
Më prit i dashur,
Më prit i dashur,
kur qielli shkund dritën e artë,
dhe mbi supet e brishtë të erës,
kurora rrezesh nis e vë,
kur në konstelacionin e kaltërsisë,
pëllumba fryme të treten në breg,
Unë, ti dhe deti të bëhemi një.
Më prit i dashur,
kur e veshur
me dridhjen e nuancave blu,
me buzëqeshjen
e mantelit të myshqeve,
të vij nëpër shkëmbinj,
me ishujt e ëndrrave,
magjepsur nga fluturat e ndjenjave,
me duart e lagura ujë e kripë,
drejtuar nga ty.
Më prit i dashur,
kur shtratin e detit
si vaj i kaltër të shtroj,
kur nga puthjet e mia
të bien copëza dielli të praruar,
e jastëku i horizontit të flakërojë,
mbi trupat tanë,
me sfungjer e leshterik mbuluar.
Dashuria jonë është si deti,
hapësirë e gjerë që njom kaltërsitë,
por kush noton gjen sekretin;
se fragmentet më të bukura zbulon,
në dyndjet e dallgëve,
plot ajër dhe dritë...
No comments:
Post a Comment