Tuesday, April 1, 2014

Vjollca Tiku Pasku - LINDJA PRANVERORE














Vjollca Tiku Pasku

LINDJA PRANVERORE

Sot qielli lindi pranverën, 
përzuri shpërgënjtë e ngrysur të reve, 
përqafoi diellin e artë, 
me rrezet ëmbëloshe, 
që zgjidhën pemët 
nga lëkura dimërore e trishtimit,
dhe nëpër degë lulëzuan sythat e parë, 
me buzëqeshjen e blerimit.

Tashmë yjet ndezën vatrat
të shkëlqejnë qiellit më shumë se çdo herë, 
disa embrione të kuq të tyre, 
ranë me flatra në tokë nga lart, 
të xixëllojnë me dritë yjore
në zemrën e çdo luleje nëpër natë.
Pranvera po shpërndan, 
thesaret e mbretërisë qiellore,
ngjyra, jetë, gjallëri, 
dhe me një aluzion vjollce
fërfërinte në zemrat njerëzore:
“Bukuria e qiellit u bëftë 
shija e qumështit në jetën tokësore”

Sot fryma e pranverës hyri dhe në shpirtin tim, 
do e ruaj të shenjtë nga ngricat e dimrit dhe ciknat e erës... 
Mirë se vjen moj pranverë me jetësorin blerim!...



No comments:

Post a Comment