Thursday, April 9, 2015

Kostaq Duka - SHENJËZA E KUQE



Kostaq Duka

SHENJËZA E KUQE

Një mirëmëngjes të thatë,
si për një kalimtar të zakonshëm
e rrokëzova nëpër buzë.
Të zënë e mëritur për ndarje
ç’mund të të thosha më shumë?!

Por…duke mos të parë në sy,
syri mbeti tek ngjyra e kuqe e këpucëve të tua,
u zvarrit ngultas
nëpër trupin tënd tek bluza e zezë e vijëzuar në të kuqe,
u ngjit aty tek cipa e buzës
e përshkënditur nga i kuqi i ndezur.

Nuk di sa u përskuqa në fytyrë,
Nuk di ç’stuhi
Përmbysi, theu e ngriti dallgë brenda shpirtit tim.

Me dhjetëra herë,
Në çaste dashurie kisha përsëritur si refren:
“Në më do çdo ditë vendos një shenjëzë të kuqe,
qoftë në këpucë,në bluzë,në buzë
a diku mes flokëve të tu të verdhë.”



Sunday, March 15, 2015

Vaso Papaj - BIRI I HARRESES






  



Vaso Papaj

BIRI I HARRESES
(Marshi i të përndjekurve)


Nuk kam emër, as mbiemër
Biri i harresës jam
Më ka mbetur veç një zemër
Po të heshtjes bijë s’e kam.

Ndaj një ditë heshtjen e shemba,
Se vazhdon zemra të rrahë.
Manushaqe dhe ndër gjemba
Me pranverën krah për krah.

Nga Olimpi s’ka rrufera,
Heshtje ka edhe harresë,
Por ta dini kam dhe vlera,
Zemrën time nuk e shes.

Zemra ime e marrosur
Të vërtetën do të ngas.
E plagosur, e fashqosur,
Veç nuk di një herë të vras.

Kur i shoh nëpër ekrane
Po ata e po ata…
Them: Moj bota frikamane,
Të përjetshëm… po këta?

Atë kohë që shkoi helmuan
E vazhdojnë prapë të helmojnë,
As nuk heshtin, s’u penduan,
Bëjnë sikur dhe Zot besojnë.

Ndaj më mirë të rri mes njerzish,
Pa një gotë në kafene,
Po me emër dhe mbiemër
Gati të pres çdo lloj rrufe.


Shpëtim Kurti - DITË VERE FËMINIE . . .

















Shpëtim Kurti

DITË VERE FËMINIE...

(Për të gjithë lushnjarët dhe jo vetem…)

To -  ooo  -  lii -   to - mo - li  .  .
 Ç' këngë e hershme qe nga fëminia,
 Ç' tinguj të pafajshëm, sapo hapej  dera...
 Hej, heeej, fëmijë,
 Tundini fort zilkat,
  Pa  shih, pa shih,
  Jashtë dëgjon, Ditëvera...! 

  E " haheshim" me njeri - tjetrin .
  Kush të ish më këmbëshpejti ,
  Të  tringëllinte këngën: Oj  teze, oj  hallë,
  " Shkundini " xhepat,
  Zgjidhini  bohçet,
  Na  ktheni " borxhin " që na keni marrë...!

   Pa gëzohej pastaj në duart e njoma
   Dhe ndonjë degë marsi
   E  bardhë... 
   "Nxitonte" të  skuqej rreth nesh trëndafili,
   Fëmijëronte,
   Një  kumbull, një mollë, një dardhë...

   To - ooo -  lii  -  to - mo – li...
   Ç' kujtim i hershem qe nga fëminia ,
    Me  zilkat e thirrjet:
    Oj  teze, oj  hallë...
    Me ç'ajër me dehe kështu,vendlindja    ime?       
    Qe  çdo gur ku  shkela,
    Të ta puth sot me kaq mall...!



Lediana Kapaj - DUA TË TË BESOJ, I PANJOHUR…!














Lediana Kapaj

DUA TË TË BESOJ, I PANJOHUR…!

Për mua ti je gjithçka e bukur dhe plot jetë,
Ndaj iu luta shpirtit të kishte paqe këtë ditë,
Ndoshta i panjohur je akoma në zemrën time,
Por i besoj ditës që kanë bekuar Perënditë..!

Fillova ti besoj ledhatimit të përsëritur në ëndrra,
Duke bekuar atë pjesë toke që lindi Njerinë,
Vendet më të virgjëra me poezinë i përshkova,
Mes diejve të zjarrtë e pashë Dashurinë!

Nuk po më trëmbte më jehona e dhembjes,
Nga prapa e lashë të zvarrisej në ujërat e ndotur,
Dhe prita gjurmën e hënës dhe rrezen e diellit,
Të m’i ternin me dritë dy sytё e përlotur!

Agim Xheka - TI MË NGJAN ME PRANVERËN














 
Agim Xheka
 
TI MË NGJAN ME PRANVERËN

Pranvera po vishet dalngadale
Me fustanin e ceremonise
se pritjes se stines se veres

Dimri eshte strukur ne vetmi
ne keshtjellen e akullt
E skermit dhembet prapa deres...

Natyra rrobaqepese nuk ia kurseu
lulet shumengjyreshe
me gjethe e petalet me te bukura

Krushqit po vine nga shtegetimi
Jane gati per vallezim
Bilbila,lejleke,blete e flutura

Tek e shoh dua ti jap pergezime
Por shtangem e cuditem.
Sa me ngjaka me te dashuren time...

Haxhi Dikolli - YLBER














Haxhi Dikolli

YLBER
...
Unë u pengova keqaz
prej ngjyrave të saj,
pa mora plagë të thella
që s’shërohen kollaj

Ajo ish një ylber,
ish pak, ti thoje Zanë
vërtet quhesh me fat,
prej saj, të marësh plagë

Kur rrugës të vrapoj
e prap ta kem përballë.
Do quhesha me fat
Të merrja sërish plagë.

Qazim Muska - S’ISHTE KOHË PËR DASHURI














Qazim Muska

S’ISHTE KOHË PËR DASHURI

I prenë të gjitha, si te kasapi
Dëshira ndjenja,koska dhe mish
Të mjerë mbetëm; ca njolla gjaku
Që nëpër pluhur bëhen pis.

Se dinim pse!S’e dinim ç’farë!
Dhe as që donim që ta dinim
Ne thjesht u deshëm si të marrë
Në atë vjeshtë kur gjethet binin.

Ish kohë e çmëndur.Të çmëndur ne
Që atë kohë s’kishim kuptuar
Dhe qielli mbushur me rrufe
Mbi kryq të varrit pa mbuluar.

Si dy fantazma në prag të Ferrit
Pa shpirt,pa trup,pa gjurmë e hije
Na la kjo kohë e pakuptimtë
E mbarsur shtrigash marrëzie.

Dhe s’mundëm prap që t’a rilindim
Se zjarrit tonë as hi s’i mbeti
Në llum e baltë u mbyt e shkoi
Në atë kohë stuhi kiameti.

Lotoj tani si shelg i nëmur
Në cep të fatit dorështrënguar
Si natë e Shën Bartolomeut
Kjo kohë që s’pati të shpëtuar.

Friday, March 13, 2015

Vullnet Mato - MËKATI ME FRYMË PARAHISTORIKE














Vullnet Mato

MËKATI ME FRYMË PARAHISTORIKE
                                         Poemë

Femra ishte krijesa hyjnore
që solli jetën njerëzore mbi tokë.
Femra solli dashurinë dygjinore
dhe bashkëjetesën në çift.
Femra solli amësinë e fëmijëve,
nga lashtësia deri sot.
Femra solli lidhjen mes gjaqeve,
në familje dhe farefis.

Femra solli mjetet kulinare,
dhe shijet e ushqimit të gatuar.
femra solli ngrohtësinë e banesës,
dhe pastrimin higjenik.
Femra solli rregullin dhe arredimin
në shtëpinë e banuar.
Femra solli bukurinë e gjallë,
Dhe gjithë arsenalin kozmetik;

Femra solli larminë e ngjyrave
dhe modelet e veshjeve trupore.
Femra solli zërin e ëmbël
në jehonat e këngëve lirike.
Femra solli shkathtësinë e kërcimit 
në vallëzimet me ritme gazmore.
Femra solli muzën e frymëzimit
në të gjitha krijimet artistike.

Femra ka qenë këshilltarja
me afërt dhe më e mira,
te veshi i mbretit, perandorit,
presidentit, komandantit,
duke zbutur zemërimin e furishëm
në situata të vështira,
aq sa vlera e saj ka kaluar  
atë të floririt dhe diamantit;

Megjithatë femra ka qenë më e shitura
dhe e shkëmbyera skllavërisht,
më e flijuara nga besimet e lashta,
për ndaljen e fatkeqësive,
më e dhunuara në trupin e saj,
deri në zhdukjen fizikisht,
më e shpërfillura nga kanunet
dhe nga kuvendet e pleqësive.

Femra ka qenë viktimë dhe për
instinktit e shtatzënisë natyrore,
më e turpëruara, më e përbuzura
me epitetin e rëndë, kurvë,
më e përgjuara nga sytë dyshues,
në mjediset shoqërore,
më e përfolura e shpifjeve
dhe thashethemeve nëpër rrugë;

Femra ka qenë më e izoluara
brenda mureve të shtëpisë,
më e penguara për të zgjedhur
bashkëshortit e saj jetësor,
më e goditura nga fanatizmi,
më e sulmuara prej xhelozisë,
më e plagosura në shpirt,
më e pafjetura e gjumit natësor.

Miliona femrave u është vrarë  
ndjenja e dashurisë vrazhdësisht,
nga skllavopronarët lakmitarë,
për të shfryrë epshet mbi robëresha,
nga sulltanët e uritur seksualisht
për të pasur hareme të poligamisë,
nga diktatorët imoralë, për të abuzuar
me pushtetin mbi vajza virgjëresha;

Nga pushtuesit e huaj, për të zbrazur
dufet e luftërave mbi gra martire,
nga maniakët, për të përdhunuar
dhe vrarë viktima femërore,
nga paranojakët hakmarrës,
të shpërfillur për shëmtimin e tyre,  
nga tutorët, për të fituar para
në shtëpi publike dhe semafore.

Qëkur janë krijuar institucionet
për drejtësi të siguruar me ligje,
femra ka qenë kryeviktima
në të gjitha konfliktet e gjykimit.
Qëkur është krijuar ideja
dhe ndjesia e frikës nga rreziqet,
femra ka qenë më e frikësuara
dhe më e rrezikuara prej krimit.

Ndryshe nga meshkujt shëtitës
larg dyerve të shtëpive,
pa pasur asnjë frikë femërore,
deri në orët pas mesnate,
femra, frikën mashkullore
nga keqpërdorja agresive,
e ka pasur në cipën e lëkurës
dhe në rrahjet e zemrës delikate.

Paniku i përhershëm mashkullor,
ka qenë padrejtësia më kronike,
qëkur u krijua jeta e mbirë
nga fara e njeriut në bark femre
dhe vijon të ekzistojë, si atavizma
me frymë parahistorike,
që nuk ndalet as me ligje,
as me dënimet më ekstreme...  

Vetëm kur të fshihet nga truri
i çdo mashkulli të sapolindur,
koncepti i pronarit të femrës,
që nxit këto mëkate të madha tokësore,
kur dashuria e saj mos të quhet
turp, krim, e ndjenjë e ndrydhur,
atëherë dy gjysmat e kësaj bote,
do kenë arritur barazi të plotë gjinore;

Atëherë lulja femërore e njerëzimit,
do ketë çelur tërë petalet e veta,
do të ketë shpalosur gëzimin
më të paimagjinuar e më të paparë,
që nga syri i shpellarit të egër,
deri te homosapiensi, ku do kulmojë jeta,
në të vetmin planet të banuar
të sistemit tonë planetar...

Atëherë, gruaja dhe burri,
si Toka dhe Dielli të zbuluar nga retë,
do të jenë pozicionuar krejt natyrshëm,
në një sistem graviteti,  
ku secili do ndjehet njësoj i barabartë
në orbitën e gjinisë së vet,
por në lidhje dashurie të ndërsjellë,
dhe të pashkëputur nga njëri-tjetri...

Wednesday, January 21, 2015

Vullnet Mato - MOS MË LER VETËM, O GRUA!














Vullnet Mato

MOS MË LER VETËM, O GRUA!

Të kam njëzetekatër orë
në dhoma e në shtrat shtrirë.
Profili dhe imazhi yt
më fle e më zgjohet brenda trurit.
Hera-herës më ngjan vetja
si bërthama e një fruti të arrirë,
teksa ti më ke mbështjellë
me ëmbëlsinë e tulit...

Herë të tjera më duket
sikur më ke burgosur lirinë
për të shijuar fruta të tjera
të ëmbla të kësaj bote.
Por shpejt ndjej se shpirti
më humbet krejt qetësinë,
kur zgjatet koha trishtuese
që sjell mungesa jote...

Ti ike te njerëzit e fisit
në largësi tre-katër male.
Dhe kur erdhi nata monotone
me shurdhimin e vetmisë,
shtëpia u mbush gjithandej
me një mungesë të madhe, 
sikur shirat përmbytën dhomat
me ujërat e fshehtësisë.

Pyeta veten si mund të vinte dita
pa zërin tënd këngëtar?
si mund të kalonte nata ime e gjatë
duke qenë fare vetëm?
A do të vinte prapë marsi
me lulet dhe zogjtë shtegtarë?
A do të binte sërish nëpër dhoma
ylberi yt që ngjyros jetën ?

Kjo zemra ime
ka filluar të ruaj në kujtesën ritmike,
faktin se pa ritmin e frymëmarrjes tënde
në distancë të afërt,
mund të mbetet pa gjak,
dhe me venat krejt anemike.
Ndaj të lutem shumë,
mos më lër vetëm as ditën, as natën!...




Friday, December 5, 2014

Vullnet Mato - PENG NË SYTË E NJË GRUAJE














Vullnet Mato

PENG NË SYTË E NJË GRUAJE

Një grua e panjohur, te stolat në park,
më kundroi gjatë me vështrim të fiksuar...
Mendova se ruante nën vetullat me hark,
ndonjë njohje rasti, nga koha e shkuar.

Por, nën grimin e faqeve të sheshta,
zbulova format e vajzërisë së hershme,
dhe në sy, ato shkëndijat të fshehta,
që shkrepnin vetëtima të mistershme.

Për disa çaste në fytyrat tona memece,
u end malli i pasionit rinor të ringjallur,
duke frenuar zjarrin e gjakut në heshtje,
nga ndonjë vrull i vështirë për t’u ndalur.

Kuptohej, se tani ëndrrat e saj qiellore,
ishin kthyer në tokë me reshje zhgënjimi
dhe e penduar për ndjenjat e saj vajzërore,
ajo ndjeu befas zgjimin e pasionit të fillimit.

Desha t’i flas, pa drojën e dikurshme,
të ndrydhur nga rrethanat e viteve larg.
Madje ajo bënte përpjekje të dukshme,
të rindizte fitilin e barutit që na u lag...

Vazhduam me sy të ndezur, disa minuta,
siç bënim atëherë për të gjetur një rast,
kur shpërthimi priste duart e saj të buta,
të zjarronin fitilin plasës nga çasti në çast.

Por nuk patëm vendosmërinë zjarrmëtare,
të kohës, kur baruti i thatë s’na shpërtheu.
Se tani predha jonë do ishte shkatërrimtare

edhe po ta zbulonim të ndryshkur nga dheu...   


Sunday, November 23, 2014

Vullnet Mato - PSE QANTE E QESHTE GRUAJA PA SHKAK














Vullnet Mato

PSE QANTE E QESHTE GRUAJA PA SHKAK

Ajo qante befas
sikur të ishte fëmijë.
Qante herë pas here
pa shkak të kuptuar.
Kujtohej se me burrin
bënte pak dashuri,
dhe lotët i binin çurg
si rubinet i liruar.

Pastaj kur ai i tha:
 “S’je më tërheqëse,
vitet ta kthyen pamjen
në shëmtim!”
Ajo ia priti:
“Më marrsh të keqen!”
dhe lotoi gjithë natën,
gjer në agim...

Një burrë tjetër i tha:
“Je tmerrësisht e bukur!”
dhe ajo papritmas
hapi krahët si zog.
Në mbrëmje i dha atij
një të puthur,
dhe trupin, kur i shoqi
bridhte me shokë.

Pastaj gjatë javës
ajo qeshte pa shkak,
qeshte dhe fluturonte
me këmbë e me duar.
Pse qan e qesh
gruaja pa shkak,
vështirë e ka burri
për ta kuptuar...





Thursday, November 20, 2014

Vullnet Mato - BUBULLIMAT E GJOKSIT TË NËNËS
















Vullnet Mato

BUBULLIMAT E GJOKSIT TË NËNËS

Isha vogëlush, afër moshës së një djali
dhe koha e krismave të tmerrshme ishte.
Në qiell, disa korba me krahë metali,
lëshonin mbi tokë glasa shpërthyese.

Nëna lau teshat me finjë nga hiri i zjarrit
dhe i vuri të thahen mbi shkurret e lumit.
Mashtruar nga ngjyrat dhe tymi i kazanit,
korbat u shfaqën befas me mitralime sulmi.

Vinin rrotull qiellit, sharronin degët e gurët 
dhe tym e pluhur u bë gjithçka përqark...
Nëna më rrëmbeu, si skifteri zogun e pulës,
më mbështolli me trup, më futi prapë në bark...

 “E mjera unë, do më vrasin djalin!”gulçonte,
me frymëmarrje të thellë strukur nën shkurre
dhe zemra në gjoks me gjëmim i bubullonte,
sikur te daullet e veshit më binte një daulle.

Atë daulle alarmi, të heshtur larg ndër vite,
kujtoj me mall, kur shoh fëmijë të asaj moshe...
Oh, gjoksi i nënës me bubullima të dridhshme,
kish brenda të gjitha dhembshuritë e kësaj bote...