Vullnet Mato
PENG NË SYTË E NJË GRUAJE
Një grua e panjohur, te stolat në park,
më kundroi gjatë me vështrim të fiksuar...
Mendova se ruante nën vetullat me hark,
ndonjë njohje rasti, nga koha e shkuar.
Por, nën grimin e faqeve të sheshta,
zbulova format e vajzërisë së hershme,
dhe në sy, ato shkëndijat të fshehta,
që shkrepnin vetëtima të mistershme.
Për disa çaste në fytyrat tona memece,
u end malli i pasionit rinor të ringjallur,
duke frenuar zjarrin e gjakut në heshtje,
nga ndonjë vrull i vështirë për t’u ndalur.
Kuptohej, se tani ëndrrat e saj qiellore,
ishin kthyer në tokë me reshje zhgënjimi
dhe e penduar për ndjenjat e saj vajzërore,
ajo ndjeu befas zgjimin e pasionit të fillimit.
Desha t’i flas, pa drojën e dikurshme,
të ndrydhur nga rrethanat e viteve larg.
Madje ajo bënte përpjekje të dukshme,
të rindizte fitilin e barutit që na u lag...
Vazhduam me sy të ndezur, disa minuta,
siç bënim atëherë për të gjetur një rast,
kur shpërthimi priste duart e saj të buta,
të zjarronin fitilin plasës nga çasti në çast.
Por nuk patëm vendosmërinë zjarrmëtare,
të kohës, kur baruti i thatë s’na shpërtheu.
Se tani predha jonë do ishte shkatërrimtare
edhe po ta zbulonim të ndryshkur nga dheu...
No comments:
Post a Comment