Friday, March 13, 2015
Vullnet Mato - MËKATI ME FRYMË PARAHISTORIKE
Vullnet Mato
MËKATI ME FRYMË PARAHISTORIKE
Poemë
Femra ishte krijesa hyjnore
që solli jetën njerëzore mbi tokë.
Femra solli dashurinë dygjinore
dhe bashkëjetesën në çift.
Femra solli amësinë e fëmijëve,
nga lashtësia deri sot.
Femra solli lidhjen mes gjaqeve,
në familje dhe farefis.
Femra solli mjetet kulinare,
dhe shijet e ushqimit të gatuar.
femra solli ngrohtësinë e banesës,
dhe pastrimin higjenik.
Femra solli rregullin dhe arredimin
në shtëpinë e banuar.
Femra solli bukurinë e gjallë,
Dhe gjithë arsenalin kozmetik;
Femra solli larminë e ngjyrave
dhe modelet e veshjeve trupore.
Femra solli zërin e ëmbël
në jehonat e këngëve lirike.
Femra solli shkathtësinë e kërcimit
në vallëzimet me ritme gazmore.
Femra solli muzën e frymëzimit
në të gjitha krijimet artistike.
Femra ka qenë këshilltarja
me afërt dhe më e mira,
te veshi i mbretit, perandorit,
presidentit, komandantit,
duke zbutur zemërimin e furishëm
në situata të vështira,
aq sa vlera e saj ka kaluar
atë të floririt dhe diamantit;
Megjithatë femra ka qenë më e shitura
dhe e shkëmbyera skllavërisht,
më e flijuara nga besimet e lashta,
për ndaljen e fatkeqësive,
më e dhunuara në trupin e saj,
deri në zhdukjen fizikisht,
më e shpërfillura nga kanunet
dhe nga kuvendet e pleqësive.
Femra ka qenë viktimë dhe për
instinktit e shtatzënisë natyrore,
më e turpëruara, më e përbuzura
me epitetin e rëndë, kurvë,
më e përgjuara nga sytë dyshues,
në mjediset shoqërore,
më e përfolura e shpifjeve
dhe thashethemeve nëpër rrugë;
Femra ka qenë më e izoluara
brenda mureve të shtëpisë,
më e penguara për të zgjedhur
bashkëshortit e saj jetësor,
më e goditura nga fanatizmi,
më e sulmuara prej xhelozisë,
më e plagosura në shpirt,
më e pafjetura e gjumit natësor.
Miliona femrave u është vrarë
ndjenja e dashurisë vrazhdësisht,
nga skllavopronarët lakmitarë,
për të shfryrë epshet mbi robëresha,
nga sulltanët e uritur seksualisht
për të pasur hareme të poligamisë,
nga diktatorët imoralë, për të abuzuar
me pushtetin mbi vajza virgjëresha;
Nga pushtuesit e huaj, për të zbrazur
dufet e luftërave mbi gra martire,
nga maniakët, për të përdhunuar
dhe vrarë viktima femërore,
nga paranojakët hakmarrës,
të shpërfillur për shëmtimin e tyre,
nga tutorët, për të fituar para
në shtëpi publike dhe semafore.
Qëkur janë krijuar institucionet
për drejtësi të siguruar me ligje,
femra ka qenë kryeviktima
në të gjitha konfliktet e gjykimit.
Qëkur është krijuar ideja
dhe ndjesia e frikës nga rreziqet,
femra ka qenë më e frikësuara
dhe më e rrezikuara prej krimit.
Ndryshe nga meshkujt shëtitës
larg dyerve të shtëpive,
pa pasur asnjë frikë femërore,
deri në orët pas mesnate,
femra, frikën mashkullore
nga keqpërdorja agresive,
e ka pasur në cipën e lëkurës
dhe në rrahjet e zemrës delikate.
Paniku i përhershëm mashkullor,
ka qenë padrejtësia më kronike,
qëkur u krijua jeta e mbirë
nga fara e njeriut në bark femre
dhe vijon të ekzistojë, si atavizma
me frymë parahistorike,
që nuk ndalet as me ligje,
as me dënimet më ekstreme...
Vetëm kur të fshihet nga truri
i çdo mashkulli të sapolindur,
koncepti i pronarit të femrës,
që nxit këto mëkate të madha tokësore,
kur dashuria e saj mos të quhet
turp, krim, e ndjenjë e ndrydhur,
atëherë dy gjysmat e kësaj bote,
do kenë arritur barazi të plotë gjinore;
Atëherë lulja femërore e njerëzimit,
do ketë çelur tërë petalet e veta,
do të ketë shpalosur gëzimin
më të paimagjinuar e më të paparë,
që nga syri i shpellarit të egër,
deri te homosapiensi, ku do kulmojë jeta,
në të vetmin planet të banuar
të sistemit tonë planetar...
Atëherë, gruaja dhe burri,
si Toka dhe Dielli të zbuluar nga retë,
do të jenë pozicionuar krejt natyrshëm,
në një sistem graviteti,
ku secili do ndjehet njësoj i barabartë
në orbitën e gjinisë së vet,
por në lidhje dashurie të ndërsjellë,
dhe të pashkëputur nga njëri-tjetri...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment