Thursday, April 23, 2015

Vullnet Mato - NË SYTË E MI, ENDET I PAPUNI...

















Vullnet Mato

NË SYTË E MI, ENDET I PAPUNI...

Ai sytë i ka ndërruar
me dy liqene të tharë,
me kallamishte qerpikësh
gati për të lotuar...
Te nofullat ka vendosur
të çeliktën darë,
grahmat e urisë
në fyt për t’i penguar... 

Në xhepa shtrëngon
dy breshkat e duarve,
me katër këmbët e kokën
të mbledhur grusht.
Trurin e ka të pllakosur
nga udhëkryqi i udhëve,
me katër horizonte shprese
te emigrimi në muzg... 

Në tru i qëndron fiksuar
domosdoshmëria e ikjes,
se ka shumë pikëllime
fëmijësh të uritur aty brenda.
Ata me sy të zgurdulluar,
në shekullin e ikjeve kozmike,
shohin kulaç Hënën dhe Marsin
netëve nëpër ëndrra...

Heshtja e dëshpërimit të tij
është gjithë brenga ime,
që shkon tutje postblloqeve
me polici rrethuar...
Mund të isha krejt i qetë
madje i kredhur në gëzime,
sikur ai të shkonte te një yll,
larg Tokës për të punuar...

No comments:

Post a Comment