Vullnet Mato
TINGUJT E FRYMËS
Tingujt e frymës sime
lindën brigjeve jugore,
me klithma urie,
shkëmbinjve të kripur,
ku gjurmoi molusqe deti
mosha fëminore,
për të mbajtur gjallë
trupin e drobitur…
Braktisa nënën atëherë,
kur s’më ushqente dot,
se shtatë fëmijët
gjirin ia kishim shtrydhur,
e mbi gjoksin e asaj
pikonin vetëm lot
dhe djersët i kullonin
buzëve, pelin të hidhur.
Aty lash pa përfillur
dhe dëshirën e një kanarine,
që më zbrazte në vesh
cicërima vajzërore,
teksa shurdhëria ime
s’duronte melodi intime
kur zorrët këndonin
melodinë gjarpërore...
Aty lashë kujtesën e kaltër
për dallgëzimet joniane,
ku rrëshqisja si levrek
i elektrizuar në bisht.
Duke e fshehur
në leshterikët e asaj ane,
ta gjej sa herë shkoj
në Jug rastësisht...
Tani shpirtin e kam
në dhjetëra copa thërrmuar,
nga Akrokeraunet e
buta,
në Alpet e thepisur...
Kudo kam lënë tingujt
e frymës sime të fosilizuar,
ku njihem si frymë-kalë,
i bindur për t’u djersitur...
No comments:
Post a Comment